Maas: Serbia të plotësojë kriteret e Kopenhagës

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Wolfram Maas ka deklaruar se Serbia duhet t’i plotësojë të gjitha kriteret e Kopenhagës përpara se të marrë statusin e kandidatit në Bashkimin Europian.
“Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, si kusht që ajo të hyjë në Bashkimin Evropian. Por, ajo që kërkojmë është përmirësimi i marrëdhënieve fqinjësore të Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ambasadori Maas transmeton RTK-ja.
Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Wolfram Maas, ka thënë se vizita e kancelares, Angela Merkel në Beograd ka për qëllim vëzhgimin nga afër të përmirësimit dhe zbatimin e kritereve të Marrëveshjes së Kopenhagës për BE, që janë edhe kushti themelor që Serbia të marrë statusin e kandidatit për BE.
Kandidat potencial për BE, thotë ai, ka të bëjë më shumë me stabilitetin politik, zbatimin e ligjit, drejtësi të pavarur si dhe marrëdhënie të mira fqinjësore dhe rajonale të një shteti. Kancelarja gjermane, Angela Merkel javën e ardhshme do të vizitojë Kroacinë, Serbinë dhe Malin e Zi për të diskutuar çështjet rajonale dhe lidhjet e vendeve të Ballkanit me Bashkimin Evropian.