DASH: Në 2012-ën, Shqipëria spati diskriminim e abuzim me bazë fenë
Tiranë- Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Lirinë Ndërkombëtare të Fesë, për Vitin 2012, në Shqipëri rezulton se nuk pati raportime për abuzim apo diskriminim nga shoqëria mbi bazën e përkatësisë fetare, besimit, apo praktikës fetare.
Sipas raportit në praktikë, qeveria përgjithësisht e respektoi lirinë e fesë. Qeveria vazhdoi të trajtonte pretendime nga grupet fetare për kthimin ose kompensimin e pronave të shtetëzuara gjatë epokës së mëparshme komuniste; megjithatë, shumë prej pretendimeve për pronat mbetën të pazgjidhura. Gjatë vitit, prirja në respektimin nga qeveria të lirisë së fesë nuk ndryshoi në mënyrë domethënëse,-thueht në raport.
DASH-i shprehet se një numër udhëheqësish fetarë sfiduan rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, duke pretenduar që zyrtarët e regjistrimit nuk kishin vizituar kurrë një numër të madh të besimtarëve të tyre.
Gjithashtu, çoroditja lidhur me pasojat e vetë-identifikimit etnik dhe fetar mund të ketë bërë që shumë të intervistuar të mos e identifikonin përkatësinë e tyre fetare. Për shembull, grupet e pakicës etnike greke nxitën anëtarët e tyre ta bojkotonin regjistrimin, çka ndikonte në matjen e pakicës etnike greke dhe të Kishës Ortodokse Greke,-thuhet në raport.
Në 2012-ën sipas raportit në vendin tonë nuk pati raportime për abuzim apo diskriminim nga shoqëria mbi bazën e përkatësisë, besimit, apo praktikës fetare.
Sa i takon seksionit mbi demografinë fetare, raporti vëren se është e vështirë të vlerësohen përmasat e grupeve fetare sepse afro 20 përqind e të intervistuarve refuzuan ti përgjigjeshin pyetjeve opsionale të regjistrimit mbi përkatësinë fetare.
Një numër udhëheqësish fetarë i sfiduan rezultatet e regjistrimit. Sipas regjistrimit, myslimanët sunitë përbëjnë afro 57 përqind të popullsisë, katolikët romanë 10 përqind, të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë) afro 7 përqind, dhe bektashinjtë (një formë e sufizmit shiit) 2 përqind. Grupe të tjera përfshijnë Bahait, Dëshmitarët e Jehovait, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditës së Shtatë (mormonët). Komiteti Shtetëror për Kultet raporton mbi 230 grupe, organizata, fondacione, dhe institucione fetare që kryejnë aktivitetin e tyre në vend-shkruhet në raport.
Mbi statusin e Respektimit të Lirisë Fetare nga Qeveria, raporti thotë se në Shqipëri Kushtetuta dhe të tjera ligje e politika e mbrojnë lirinë e fesë.
Raporti i DASH-it shton: Sfidat administrative dhe ligjore të lidhura me pretendimet pronësore në përgjithësi e bënin kthimin e pronave të vështirë për individët dhe organizatat, përfshi grupet fetare, dhe përparimi ishte i ngadaltë. Për shembull, procedurat e ngecura administrative vazhduan ta pengonin komunitetin bektashian nga rimarrja e pronave në Ksamil, prona të cilat një gjykatë ia kishte kthyer në vitin 2009.
Mosmarrëveshjet për pronësinë dhe problemet me ndjekjen ose regjistrimin e titujve të pronësisë e bënin të vështirë që grupet fetare të merrnin toka të reja ku të ndërtonin vende praktike fetare. Disa grupe merrnin me qera ndërtesa ekzistuese, por raportuan që vështirësitë për blerjen e tokës dhe ngritjen e ndërtesave të veta e penguin aftësinë e tyre për të zhvilluar shërbesa fetare.
Ndër të tjera DASH-i thotë se megjithëse nuk ka ndonjë pengesë ligjore kundër mbajtjes së veshjeve apo simboleve fetare, drejtorët e shkollave kishin të drejtën të përcaktonin standardet për veshjen e duhur, e cila, me raste, përfshinte kufizimet për shfaqjen publike të simboleve fetare.
Dorina Bilbili/IDEA/