E Diel, 1 Nëntor 2026

DASH: Shqipëria burim i trafikut njerëzor, qeveria splotësoi kushtet minimale

trafikimiSHBA- Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë publik dje raportin për trafikimin e qenieve njerëzore, ndërsa në të thuhet se Shqipëria është burim trafiku për burra dhe gra.

Raporti u prezantua nga sekretari i shtetit, John Kerry, i cili tha se vendi ynë do të kalojë në listën e shteteve që po mbahen nën vëzhgim, pasi autoritetet nuk i kanë përmbushur të gjithë kushtet që duhen për eleminimin e trafikimit.

Kjo lloj mase merret në rastet kur vihet re rritja e trafikimit dhe autoritetet kanë dështuar në luftën ndaj këtij fenomeni.

Sipas SHBA-ve, viktimat shqiptare i nënshtrohen trafikimit për qëllime shfrytëzimi seksual brenda Shqipërisë si edhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Hollandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë gra janë viktimë e trafikimit pasi pranojnë oferta punësimi si kamariere, bariste, kërcimtare ose këngëtare në vendet fqinje, veçanërisht në Kosovë, Greqi dhe Maqedoni. Gjatë vitit janë identifikuar viktima të trafikimit për punë nga Filipinet. Fëmijët shqiptarë detyrohen të lypin si edhe për forma të tjera pune të detyruar. Disa vajza shqiptare bëhen objekt i trafikimit me qëllim shfrytëzimi seksual apo punë të detyruar pas martesave me mblesëri.

Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht kushtet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, kjo qeveri po merr masa të konsiderueshme për ta bërë këtë. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, qeveria nuk mundi të paraqiste prova për shtimin e përpjekjeve në shqyrtimin e trafikimit të qenieve njerëzore gjatë periudhës së mëparshme të mbuluar nga raporti; si rrjedhojë, Shqipëria vendoset në Listën e Vëzhgimit Grupi 2. Qeveria ka financuar në masa modeste strehat e OJQ-ve të cilat ofronin shërbime për viktimat e trafikimit dhe raportohet se gjyqtarët kanë përdorur qasje me orientim ndaj viktimave gjatë proceseve gjyqësore,- citon raporti.

Dokumenti citon faktin se qeveria hoqi koordinatorin kombëtar kundër trafikimit, i cili ishte shumë efikas në bashkëpunimin me OJQ-të për të zhvilluar mekanizmin kombëtar të referimit e procedurat standarde të veprimit, dhe e la këtë pozicion bosh për pesë muaj.

Zyrtarët e Departamantit Amerikan të Shtetit kanë nxjerrë dhe disa rekomandime për Shqipërinë, të cilat janë: Të ulë shkallën e lartë të qarkullimit mes zyrtarëve të qeverisë, veçanërisht brenda forcave lokale të policisë, për të ruajtur kapacitetin e përftuar nga zyrtarë me trajnim të veçantë për shqyrtimin e trafikimit të qenieve njerëzore; të shpërndajë të ardhura për zyrën e koordinatorit kombëtar kundër trafikimit në mënyrë që të ulë varësinë e tij ndaj donatorëve të huaj dhe të shtojë përpjekjet për parandalim; të trajnojë rregullisht policë dhe zyrtarë në nivel lokal për procedurat standarde të veprimit me qëllim rritjen e numrit të viktimave të identifikuara dhe ndihmuara në Shqipëri; të garantojë se viktimat e trafikimit për qëllime shfrytëzimi seksual nuk do të dënohen për prostitucion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›