E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikorrupsioni, humbësi i këtyre zgjedhjeve

Fushata elektorale po numëron ditët e saj të fundit dhe, mesa duket, nuk do të kemi surpriza të mëtejshme në orët që na ndajnë nga 23 qershori. Të dyja kampet kryesore i kanë zbuluar strategjitë e tyre dhe tashmë dekoret e zjarrta të mitingjeve përmbyllëse ua kanë zënë vendin premtimeve programore apo çdo ideje tjetër që mund të shërbente për të tërhequr ndonjë të pavendosur të orëve të fundit. Nëse do të ndalemi për një moment për të kthyer kokën pas në këto muaj të fundit, sepse përtej zyrtares, fushata elektorale ka nisur realisht shumë më herët, mund të nxjerrim disa risi të saj:
Së pari, fushata si një marrëveshje xhentëlmenësh PD-LSI-PS
Kjo mund të cilësohet si fushata e parë kur opozita foli për katër vite për vrasje qeveritare më 21 janar, dosje korruptive të ministrave dhe familjarëve të kryeministrit, afera privatizimesh e shumë denoncime të tjera për abuzimet e kësaj qeverie të velur nga mbipushteti i saj dhe çuditërisht, heshti për të gjitha këto skandale përgjatë dy muajve të fundit përpara se shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit. Më ekzaktësisht, që prej marrëveshjes së 1 prillit, e cila shënoi rikthimin e LSI dhe ministrave të saj në familjen e majtë, çdo akuzë për mosndëshkimin e zyrtarëve të lartë dhe korrupsionin e veshur me pushtet, u venit krejtësisht. Sa herë që dikush nga socialistët gjendet këto ditë në ndonjë studio televizive dhe përmend ndonjë nga dështimet e qeverisë në fushën e Drejtësisë, Shëndetësisë apo Ekonomisë, rivalët e tij të djathtë e kanë menjëherë përgjigjen: ‘Fajtorët i keni në aleancë me ju’. Në këtë mënyrë, të gjitha debatet për të analizuar performancën e kësaj qeverie në këto tetë vite të fundit, arritjet dhe dështimet e saj, përfundojnë pa asnjë rezultat. Të gjendura në këtë situatë të sikletshme, edhe vetë partitë që deri dje ndanin tortën e pushtetit, PD dhe LSI, preferuan gjatë kësaj fushatë që t’i “ruajnë në dollap skeletet” e bashkëpunimit të tyre. Asnjë dosje e re, asnjë sekret që mund të jetë konsumuar në këto katër vite të fundit në zyrat qeveritare, nuk iu servir publikut në një marrëveshje të heshtur xhentëlmenësh të lidhur pas interesave të përbashkëta. Vetë socialistëve, si opozitarë të kaluar paksa në moshë, nuk u mbeti gjë tjetër veçse të pranojnë martesën e re me LSI-në, pa ia përmendur asaj publikisht mëkatet e mëparshme me një tjetër bashkëshort dhe sigurisht pa i kërkuar që ta “turpërojë” atë në publik.
Nuk ka asnjë dyshim se një pakt i tillë për të mos nxjerrë në shesh të palarat e rivalit politik, favorizon fushatën e PD-së, si forca që vjen nga tetë vite në pushtet dhe dëmton opozitën jo vetëm në revanshin e saj për të denoncuar imazhin e qeverisjes së korruptuar, por njëkohësisht “dërgon ujë në lëmin” e atyre që vendosin një shenjë barazimi përsa i përket moralit të të dyja kampeve politike dhe dyshojnë mbi premtimet për një rilindje pas 23 qershorit. Sigurisht që këto llogari janë bërë edhe në familjen socialiste, por mesa duket, është vendosur që përfitimi nga votat e rikthyera të LSI është më i madh se çdo skepticizëm. Përtej formulave matematike, është e qartë se rrotacioni i vërtetë i premtuar nga opozita do të kishte një shpresë më të madhe në rast se ajo do të kalojë e vetme kufirin e 71 votave. Në rast të kundërt, nëse ajo do të jetë e shantazhuar çdo moment nga braktisja e votave të deputetëve të Ilir Metës, qeveria e majtë e post 23 qershorit ka rrezik që t’i ngjajë një drame të rivënë në skenë, ku skenari mbetet i njëjtë, por aktorët të ndryshëm.
Së dyti, mungesa e debatit mes liderëve
Përpos të gjitha gjetjeve ideore dhe risive teknologjike, edhe në këtë fushatë nuk do të kemi mundësinë për të pasur një përballje televizive mes liderëve kryesorë politikë. Nëse në zgjedhjet e kaluara, një ide e tillë është negociuar deri ditën e fundit apo diskutimi ka ngecur thjesht tek “mejdani” televiziv se ku do të zhvillohej ky debat politik, kësaj here situata nuk i la vend asnjë aludimi apo pritshmërie pozitive. Secili lider ka zgjedhur studion dhe formatin e tij të preferuar për të dhënë mesazhet e fundit elektorale, duke evituar çdo përballje. Përjashtim nga ky mentalitet nuk mund të bënin edhe tentativat për të fituar sa më shumë përkrahës në internet. Nëse Rama zgjodhi ”Twitter”, Berisha preferoi të lundronte në “Facebook”, si për të dëshmuar që edhe një debat online në këto platforma sociale virtuale mbetet gjithashtu krejt i pamundur për momentin.
Së treti, programet politike, debati fiskal
Kjo fushatë solli një risi përballjesh programore. Për herë të parë, opozita hartoi dhe bëri publik një program të vërtetë alternativ dhe tërheqës për elektoratin e gjerë. Disa prej propozimeve të saj, sigurisht që u përdorën menjëherë nga mazhoranca dhe gjetën edhe zbatim në praktikë, duke ngjallur një farë hezitimi nga krahu rival nëse duhen bërë publike apo jo idetë programore përpara zgjedhjeve. Në fund të fundit ky është roli i opozitës, të sjellë ide dhe zgjidhje të reja, të cilat mund të “kopjohen” nga mazhoranca për të përmirësuar qeverisjen e vendit. Duke mos dashur të vlerësojmë më tej suksesin e reformave fiskale dhe për t’i lënë kohën e duhur PS për të provuar premtimet e saj në rast të një fitoreje, kjo mund të quhet patjetër një risi pozitive e kësaj fushate.
Së katërti, zhgënjimi dhe thirrjet për bojkot
Edhe në këto javë të fundit përpara ditës së votimit, pati një debat mediatik mbi zhgënjimin që sjellin elitat e kalcifikuara politike dhe skepticizmin nga një opozitë që nuk garanton rrotacionin e duhur. Pati edhe thirrje për të bojkotuar këtë politikë të vjetër, apo edhe për t’u vënë kryqin të gjithë forcave politike, si një dëshmi e ngopjes nga ky stanjacion që prodhon politika shqiptare. Në fakt, të njëjtat sugjerime “kundër rrymës” mund të gjenden pa shumë mundim në publikimet e katër viteve më parë nga të njëjtët persona publikë. Asgjë nuk ka ndryshuar në mendimet e tyre dhe si për të vërtetuar më tej se kjo nuk është zgjidhja e duhur, asgjë nuk ka ndryshuar edhe në situatën politike të këtyre katër viteve. Pra, bojkoti këtë të diel apo kryqi i madh mbi fletën e 23 qershorit, nuk do ta bëjë më të mirë sferën politike dhe të ardhmen e këtij vendi.
Përpos fenomeneve negative të kësaj fushate, që nënvizohen edhe njëherë në këtë shkrim, personalisht do të votoj këtë të diel. Do të votoj për të thënë që isha njëri prej atyre që mora pjesë dhe u rreshtova në krahun e duhur. Do të votoj me shpresën se vota e këtij 23 qershori do ta bëjë më të përgjegjshme dhe më pak arrogante qeverinë e ardhshme, do ta bëjë më bashkëpunuese opozitën dhe të dyja bashkë, më të ndjeshme ndaj forcave të reja, të cilat po fitojnë terren.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›