E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH për Kosovën: Problem korrupsioni në politikë

WASHINGTON - Kosova në zgjedhjet e përgjithshme e 12 dhjetorit të vitit të kaluar mund të thuhet se ka përmbushur standardet ndërkombëtare, ndonëse parregullsitë serioze kanë rezultuar me rivotime në disa komuna.

Me një konstatim të këtillë fillon kapitulli për Kosovën, në raportin e fundit të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të drejtat e njeriut gjatë vitit 2010, raportojnë mediat kosovare.

Në raport thuhet se problemet dhe abuzimet e raportuara në fushën e të drejtave të njeriut kanë të bëjnë me ndërhyrjen e Qeverisë në forcat e sigurisë dhe në drejtësi, paraburgimet e stërzgjatura dhe mungesën e proceseve gjyqësore në kohën e paraparë, presionin mbi media nga zyrtarët publikë dhe individë të ndryshëm, incidentet e dhunshme kundër pjesëtarëve të komuniteteve fetare, përparimin e kufizuar në kthimin e personave të zhvendosur, korrupsionin qeveritar, përfshirë këtu edhe Policinë e Kosovës dhe sistemin e drejtësisë, dhunën dhe diskriminimin ndaj grave e trafikimin me njerëz, diskriminimin e abuzimin e komuniteteve pakicë, diskriminimin e personave me aftësi të kufizuara dhe të personave të tjerë, bazuar në orientimet e tyre seksuale dhe punësimin e fëmijëve në sektorin joformal.

Te kapitulli për korrupsionin, raporti rikujton se me ligj, korrupsioni zyrtar është vepër penale, megjithatë, thuhet në raport, “qeveria nuk e ka zbatuar këtë ligj me efektshmëri dhe zyrtarët thuhet të jenë angazhuar në praktika korruptive, duke mos u dënuar për to”.

“Organizatat ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare vazhdojnë të raportojnë se korrupsioni është një problem serioz. Mungesa e një mbikëqyrjeje efektive ligjore dhe brishtësia e përgjithshme në sundimin e ligjit, i kanë kontribuuar korrupsionit në qeveri”, thuhet mes të tjerash në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, për të drejtat e njeriut në Kosovë.

Ndër të tjera përmendet edhe raporti i Këshillit të Evropës, i hartuar nga anëtari i saj, Dick Marty trafikim organesh nga ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë këtu edhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Duke rikujtuar hetimet e zhvilluara nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte, raporti rikujton gjithashtu se hetimet kanë përfunduar pa gjetjen e dëshmive.

Në të flitet edhe për strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, duke thënë se “qeveria serbe ka vazhduar me funksionimin e pasanksionuar të sistemit paralel të drejtësisë në enklavat e banuara me serbë dhe në komunat e banuara me shumicë serbe”.

Kur bëhet fjalë për veriun dhe pjesët e banuara me komunitetet pakicë, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vlerëson se rreziqet e perceptuara dhe incidentet sporadike të dhunës dhe presioni, vazhdojnë të kufizojnë lirinë e lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës në veri të vendit dhe të serbëve në pjesët tjera të vendit.

(e.m/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›