AAK kritikon ecurinë e regjistrimit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kritikoi sërish ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë. Melihate Tërmkolli, anëtare e kryesisë së AAK-së, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë ka shumë defekte. Sipas saj, është e padrejtë që fëmijët të cilët kanë lindur jashtë vendit nuk po regjistrohen. Në këtë mënyrë po i bëhet shkelje e dyfishtë mërgatës sonë, të cilët nuk janë pjesë e regjistrimit zyrtar, tha Tërmkolli.
Një problem tjetër që është evidentuar, është edhe regjistrimi i pasurisë. Sipas Tërmkollit, shumë qytetarë nuk po e regjistrojnë pasurinë e tyre. Kjo është si pasojë e mungesës së informacionit nga ana e qeverisë, tha ajo. “Regjistrimi i pasurisë nuk ka të bëjë me taksa e tatime”, tha Tërmkolli, duke shtuar se të dhënat e çdo qytetari janë të mbrojtura me ligj dhe nuk i jepen askujt.
Sipas Melihate Tërmkollit, nëse shkohet me këtë ritëm të regjistrimit, atëherë mund të mbetet një pjesë e popullsisë pa u regjistruar brenda afatit të përcaktuar. Ajo tha se duhet të sqarohet nëse do të zgjatet afati i regjistrimit edhe për disa ditë të tjera. Tërmkolli shtoi se ka shumë pak regjistrues, të cilët janë të trajnuar shumë dobët.Një vërejtje tjetër e AAK-së, është edhe ndaj kryeministrit Thaçi, i cili, sipas Tërmkollit, do të duhej t’iu drejtonte popullit për një projekt kaq madhor dhe të rëndësishëm.
Procesi i regjistrimit të popullsisë ka filluar me 1 prill dhe pritet të zgjas deri më 15 prill. (rtk)