DAVOS – Irani shpreson për një marrëveshje të re bërthamore gjatë mandatit të dytë të Trump

DAVOS, 22 janar /ATSH-DPA/- Irani shpreson që presidenti amerikan Donald Trump do të pajtohet me marrëveshjen e re bërthamore, tha sot zëvendëspresidenti për Çështjet Strategjike, Mohammad Javad Zarif, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje se pse Irani supozon se SHBA-ja mund të pajtohet me marrëveshjen e re, Zarif tha: “Shpresoj për një marrëveshje të re bërthamore gjatë mandatit të dytë të Trump – dhe që këtë herë, të jetë më serioz, më i fokusuar, më realist”.
Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga pakti bërthamor i Vjenës në vitin 2018 gjatë mandatit të tij të parë dhe vendosi sanksione të reja të ashpra ndaj Teheranit.
Mosmarrëveshja mbi programin bërthamor të Iranit është intensifikuar sërish muajt e fundit.
Pas kritikave ndaj programit bërthamor të Iranit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, Teherani njoftoi në nëntor se planifikon të vërë në veprim mijëra centrifuga të reja për pasurimin e uraniumit.
Irani aktualisht pasuron uraniumin në një nivel pastërtie prej 60%. Sipas ekspertëve, një nivel prej më shumë se 90% kërkohet për armët bërthamore.
Qeveria e Izraelit ka kërcënuar vazhdimisht se do të bombardojë objektet bërthamore iraniane. //a.i/