E Shtunë, 31 Tetor 2026

DEGRADIMI KINEMATOGRAFIK

Me ndihmën e debateve publike, kronikave, shkrimeve-kritike e eseve, viteve të fundit u dhanë indikacione konkrete se kinematografia kosovare s’është në gjendje të rilindet dhe ta tejkalojë nivelin lokal e rajonal, pavarësisht asaj se çfarë temash trajton dhe nga cilët autorë. Nga Jeton Budima më 22 mars 2011 në ora 12:17

Viteve të fundit u dhanë indikacione konkrete se mungon një kinematografi autoriale, që do të ishte në gjendje të trajtonte shumë probleme ideologjike, shoqërore, sociale, ekonomike, religjioze e të diversitetit, me ndihmën e një “revolte vizuele”.

Viteve të fundit u dhanë indikacione konkrete se mungon një strategji afatgjate, vizioni dhe reforma kadrovike, të cilat janë obligim, përgjegjësi dhe detyrë e Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), si institucion me atribute të një autoriteti qendror për zhvillimin kinematografik.

Këto veprime edhe sot shpjegohen lirshëm si improvizime “day-by-day”.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kriza në kinematografi nuk është ditore, javore apo mujore, por është prezente në gjithë dekadën e fundit, por pa simptomë të ndryshojë, pavarësisht objektivit retorik të QKK’së ose të mbikëqyrjes potenciale të Ministrisë së Kulturës.

Degradimi i sotëm është prezent në tri dimensione:

DEGRADIMI A: Lidhet me zgjedhjen e Zeqë Hamitit për drejtor të QKK’së. Filmaxhinjve me siguri u kujtohet se zgjedhja e tij ishte në kundërshtim me ligjin, megjithëse u zyrtarizua nga kabineti Haraqia.

Kjo ishte koha kur Ministria e Kulturës ishte monopol i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kur manipulimi mbi baza partiake po krijonte një formë të re dominimi, sepse për filmin do të vendosej nga ata që nuk e njohin dhe nuk e respektojnë fare. Me manipulime, spekulime e keqpërdorime u vazhdua edhe në kohën e ministrit të fundit të Kulturës, Lutfi Hazirit.

Në vitin 2010, Zeqë Hamitit, si duket iu zgjat “mandati” edhe për katër vite të plota - sërish në kundërshtim me ligjin - duke abuzuar kështu me drejtësinë, njëjtë si Haraqia.

E në nenin 32/1, të Ligjit për Kinematografi, shumë qartë thuhet se “emërimi i drejtorit të ri bëhet me konkurs publik dhe nga lista me më së paku dy kandidatë…”.

Ky përshkrim është shumë ekzakt. Nëse respektohet ligji dhe normat ligjore, ky vendim duhet të zhbëhet nga ministri i ri i Kulturës, Memli Krasniqi, në mënyrë që drejtori i ri të zgjidhet me konkurs dhe në harmoni me ligjin - ashtu si në të gjitha shtetet e civilizuara.

Nga ana tjetër, rizgjedhja e Zeqë Hamitit për drejtor të QKK’së do të ishte një regresion i madh në zhvillimin e kinematografisë vendore, e cila momentalisht ka hyrë brenda një rrethi vicioz. Mungesa e rezultateve, normalisht, duhet t’iu përshkruhet kineastëve, por edhe vetë Zeqë Hamitit...

DEGRADIMI B: Sipas Nenit 30/1, të Ligjit për Kinematografi, “Këshilli Drejtues përbëhet prej pesë anëtarëve, të cilët emërohen nga Ministri i Kulturës…”, ndërsa sipas Nenit 30/2, “Mandati i anëtarëve zgjatë tre vite, me të drejtën që dy anëtarë të rizgjidhen edhe për një mandat radhazi…” Nga struktura e vjetër e Këshillit Drejtues sot mungon Ismet Sijarina, i cili dha dorëheqje sepse u paraqit me projekt filmik. Përndryshe një veprim ky moral, i cili duhet përshëndetur. Ndërkaq Jahi Jahiu zhvendoset në jurinë vlerësuese - duke ilustruar kështu një konflikt të ri interesi, sepse është shumë e qartë që njeriu nuk mund ta emërojë vetveten në poste të caktuara.

Në deklaratën e fundit Jahiu përgjigjet kështu: “Nuk di çka të them... një tjetër çështje është mungesa e kuadrit”.

Paradoksale, apo jo? Ai na flet për mungesë kuadri, edhe pse sot ka shumë aktorë, dramaturgë dhe regjisorë me reputacion, të cilët - sipas nevojës - mund të vihen në dispozicion. Banale dhe provizore, apo jo? Atëbotë zgjedhja e Jahi Jahiut ishte bërë, në radhë të parë, për motive private, partiake e joprofesionale. Në deklaratat e fundit të vitit të kaluar, Jahi Jahiu qartazi u klasifikua në anën e mossuksesit, manipulimit dhe keqpërdorimit të fondeve publike.

Ndërkaq, dy rreshta më poshtë, prononcohet në këtë mënyrë: “Nuk jam në dijeni... Nuk e di unë atë punë. Nuk e di që s’ka pasur mandate!” Paramendoni, për tri vjet të plota ky njeri, që formalisht është element përbërës i strukturave që i përcaktojnë politikat buxhetore, financiare, potencialin financiar, bilancin vjetor… nuk kishte kohë ta shfletonte Ligjin për Kinematografinë dhe të interesohej për të dhëna të caktuara, gjë që merr të pak më tepër se dhjetë sekonda.

Çun Lajçi, anëtari tjetër i Këshillit Drejtues, ndërkaq përgjigjet në këtë mënyrë: “Ne kemi qenë të obliguar ta caktojmë jurinë, të cilën nuk e caktojmë ne por drejtori…” Edhe Lajçi nuk di të bëjë dallimin ndërmjet propozimit dhe emërtimit. Nuk e di Ligjin për Kinematografi e as kompetencat e Këshillit Drejtues, të cilat nuk përbëjnë më shumë se dy nene. Tragjike kjo!

DEGRADIMI C: Versioni final i Ligjit për Kinematografi, i cili nuk është debatuar (për ndryshim nga draftet iniciale të debatuara në Kuvend…), por që është zyrtarizuar nga partnerët e Zeqë Hamitit e Agim Sopit në Ministrinë e Kulturës, edhe sot është model i cunguar, kontradiktor dhe më i rrudhur sesa draftet e debatuara publikisht. Ky version, përveç produksionit dëme të mëdha i shkakton edhe distribucionit dhe funksionimit të një “networku” që lidhet me kinematë vendore. Edhe pse me interes publik, në të gjitha nivelet, kinematë mbeten të pambrojtura në raport me bizneset e vogla që merren me video-produksion dhe me shumë televizione kabllore, që sot zyrtarizojnë piraterinë nëpërmjet ekranit të vogël.

Reduktimi i sistemit tatimor – prezent - në draftet e mëparshme u bë me vetëdije të plotë dhe me tendenca manipulimi e eksploatimi nga klani i apostrofuar. Në versionin final të Ligjit u eliminuan të gjitha nenet e lidhura me funksionimin e kompanive për distribucionin filmik dhe me kinematë që merren me distribucion dhe shfaqje filmash. Ndërkaq, u ruajtën vetëm neni 49 dhe nenet tjera të lidhura me kundërvajtjet.

Fituesi i sivjetshëm i Oscarit “The King’s Speech” tek ne mund të shikohet vetëm për një euro. Ç’të thuhet tjetër, pos: Mjaft është mjaft!

SQARIM: Opinionet e shprehura në këtë rubrikë janë të bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe nuk shprehin qëndrimet e Redaksisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›