DETAJET/ Tragjedia në Athinë, 4 viktimat nga një familje, motër e vëlla me origjinë nga Tropoja

Detaje të reja nga tragjedia në Athinë, mes 6 viktimave tre shqiptarë
Të tjera detaje kanë dalë nga tragjedia me 6 viktima në Athinë, ku mes të vdekurve janë tre persona me origjinë shqiptare, në fakt 4 prej tyre brenda një familjeje.
Sipas mediave greke, viktimat janë Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick, të cilët ishin martuar së fundmi, si dhe Eris Cani dhe bashkëshorti i saj, Florin Hoxha. Florida dhe Florini janë vëlla e motër ndërsa dy të tjerët janë përkatësisht e shoqja dhe i shoqi.
Florini dhe Florida janë me origjinë nga Tropoja ndërsa jetonin prej shumë vitesh në SHBA.
Katër personat kishin marrë me qira një apartament në katin e parë të ndërtesës. Tre prej tyre ishin me origjinë shqiptare, ndërsa Ian Alexander Kirkpatrick ishte shtetas amerikan.
Një tjetër detaj që e bën edhe më tragjike ngjarjen është se Florida Hoxha dhe Ian Alexander Kirkpatrick ndodheshin në Greqi për muajin e mjaltit.
Sponsorizuar
Një i afërm i çiftit kishte shkruar në rrjetet sociale se ata besohej se ndodheshin në ndërtesën që u shemb në zonën e Plakës, ndërsa pasaportat me emrat e tyre u gjetën nën rrënoja.
“Ndërtesa që u shemb në Plaka rreth 13 orë më parë besohet se ka strehuar kushërinjtë e mi, Ianin dhe Floridën. Ata janë në Greqi për muajin e mjaltit”, shkroi ai, duke kërkuar informacion.
Ndërkohë, mësohet se çifti tjetër që ndodhej në apartament, Eris Cani dhe Florin Hoxha, prisnin një fëmijë.
Dy viktimat e tjera janë një çift të moshuarish që jetonin në katin e dytë të ndërtesës, Athena Paparescu dhe Edmond Hings, të dy 77 vjeç, me origjinë britanike, sipas informacioneve të deritanishme.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për përcaktimin e shkaqeve të sakta të shpërthimit vdekjeprurës. Pista kryesore e hetimit është ajo e një rrjedhjeje të mundshme gazi, por ekspertët pritet të shqyrtojnë të gjitha të dhënat dhe provat e mbledhura në vendngjarje për të përcaktuar shkakun e saktë të tragjedisë.r.k