DITA 126/ Studentët paralajmërojnë protestë më 13 tetor, thirrje për bojkot të mësimit

Në ditën e 126-të të protestës kundër qeverisë, marshimi i protestuesve ka vijuar në rrugët e Tiranës, duke u ndalur edhe pranë Ministrisë së Arsimit, ku studentëve iu bë thirrje të bojkotojnë mësimin.
Studentë dhe qytetarë u grumbulluan para ministrisë, ndërsa në fokus ishte edhe nisja e vitit të ri akademik, që pritet të fillojë më 5 tetor.
Gjatë tubimit u njoftua se protestuesit do të rikthehen para Ministrisë së Arsimit më 13 tetor, në orën 14:00, për një protestë të posaçme. Ata u bënë thirrje studentëve që t’i bashkohen tubimit dhe të bojkotojnë procesin mësimor në shenjë proteste.
Ndërkohë, marshimi i ditës së 126-të ka vijuar në rrugët e kryeqytetit, me thirrje kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe korrupsionit.
“Parlamenti i krimit”, “PS-PD, k*lysha të komunizmit”, “Arrestoni Ballukun”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri”, ishin disa nga sloganet e protestuesve.
Gjatë marshimit, qytetarët kërkuan largimin e Ramës nga pushteti, duke e akuzuar për keqqeverisje dhe për pengimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Protestuesit kundërshtuan gjithashtu projektet e ndërtimit në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit, me thirrjen: “Sazani, Zvërneci, në fyt do ju ngeci”.
Marshimi ka vijuar drejt qendrës së Tiranës, ndërsa protestuesit kanë përsëritur kërkesat e tyre kundër qeverisë dhe klasës politike në pushtet.m.k