E Shtunë, 31 Tetor 2026

DJ Gamble, përfaqëson Kosovën në Finalen Botërore të Red Bull në Kanada

DJ Gamble fitues i Red Bull Thre3Style Kosovo Red Bull Thre3Style Kosovo ishte evenimenti muzikor që elektrizoi Prishtinën mbrëmjen e së mërkurës. Për herë të parë në Kosovë, Red Bull organizoi këtë konkurs për DJ, ku morrën pjesë: DJ Gamble nga Prishtina, DJ Dagg X Base nga Prizreni, DJ Liburn nga Ferizaj, DJ First nga Prishtina, DJ Miloti nga Vushtria dhe DJ Angel nga Prishtina.

Konkursi u zhvillua në ambientet e Zone Club në Prishtinë më 7 Gusht, ku fitues u shpall DJ Gamble, i cili do të përfaqësojë Kosovën në Finalen Botërore të Red Bull Thre3Style në Nëntor të këtij viti, në Toronto, Kanada. Red Bull Thre3Style është një konkurs botëror për DJ, ku secili konkurrent luan për 15 minuta tre zhanre të ndryshme muzikore. Kriteret e vlerësimit për secilën performancë ishin: përzgjedhja e këngëve, kreativiteti, aftësitë për të miksuar, paraqitja në skenë si dhe reagimi i publikut.

Për të përzgjedhur DJ-in më të mirë kosovar, në panelin e jurisë ishin: britaniku DJ Woody, një nga DJ-t më të mire në botë për scratch, fituesi i Red Bull Thre3Style Albania, DJ Vicky dhe DJ i mirënjohur nga Kosova, Da Lool. Fituesit e konkurseve Red Bull Thre3Style që po zhvillohen në mbarë botën, nga Azerbaixhani në SHBA, nga Belgjika në Kili, nga Korea në Zvicër do të mblidhen të gjithë së bashku për të konkurruar në rang botëror në Finalen e Madhe të Red Bull Thre3Style, për të shpallur Kampionin e Botës për vitin 2013.

Ky konkurs për herë të parë është zhvilluar në Kanada pesë vjet më parë dhe nga një konkurs brenda shtetit, në vitin 2010 u shndërruar në një konkurs botëror për DJ, ku DJ i parë i kurorëzuar si Kampion Bote ishte francezi Karve, për të vazhduar më pas me kanadezin DJ Hedspin si fitues në vitin 2011 dhe DJ nga SHBA, Four Color Zack, në 2012./Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›