E Diel, 1 Nëntor 2026

DOSJA/ Prokuroria: Ja si u vra kryekomisar Tahiraj. Xhakja i tha të q motrën para se të qëllonte

Ilir Xhakja

Ilir Xhakja

Nga Lindita Çela

Ilir Xhakja jo vetëm që ka identifikuar Adem Tahirin si punonjës policie, por dhe e ka fyer para se ta ekzekutonte.

Të paktën këtë pretendon Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke kërkuar burgimin e përjetshëm të Ilir Xhakjes për vrasjen e kryekomisar Adem Tahirit.

Kjo është kërkesa e prokurorit të çështjes, Eugen Beci, lexuar të mërkurën paradite në sallën e gjyqit, në procesin në ngarkim të të akuzuarit për vrasjen e komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj.

Prokurori ka kërkuar dënimin me burg të përjetshëm për Ilir Xhakjan për vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj, dhe 10 vjet burg për plagosjen e Lena Ndokajt.

Prokuroria argumenton se Xhakja paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore prandaj duhet të jetë në burg përjetë.

Aksioni që çoi në ekzekutimin e komisarit

Rreth orës 17.00 të datës 13.09.2012, me urdhër të Shefit të Komisariatit të Policisë, të ndjerit Adem Tahiraj, forcat e policisë të Komisariatit të Shijakut u urdhëruan të kryejnë patrullime në qytetin Shijak dhe rrethinat e tij, deri tek lapidari në Katundin e Ri.

Fillimisht në operacion u përdorën tre automjete policie dhe pesë efektiva nën drejtimin e Shefit të Komisariatit.

Qëllimi i patrullimit ishte verifikimi i dokumentacionit dhe titullit të pronësisë së automjeteve me targa të huaja, pa targa dhe me xhama të errët.

Në automjetin tip Chevrolet, me targë Policia 2085 patrullonin Shefi i Komisariatit dhe punonjësi i policisë F. H.

Patrulla e përgjithshme e policisë, e përbërë nga punonjësit e policisë dhe H. SH. dhe K. SH. patrullonin me automjetin tip Chevrolet me targë Policia 2084, kurse punonjësit e policisë V. Xh dhe A. T. patrullonin me një automjet tip fuoristradë, edhe ai me mbishkrimet dhe të gjitha shenjat dalluese të policisë.

Në vijim të patrullimit, u shoqërua një automjet i tipit VW Golf pa targa, që i përkiste shtetasit S.G.

Nga ky çast, automjetet në patrullim rreshtohen si vijon: autokolonën e printe automjeti me targë Policia 2085, i drejtuar nga punonjësi i policisë F.H.

Në sediljen e parë të tij ndodhej Shefi i Komisariatit. Pas tij vinte automjeti tip VW Golf, në kabinën e të cilit ndodheshin S.G dhe J.G (babë e bir), kurse pas tij vinte automjeti me targë Policia 2084, i drejtuar nga oficeri K.G.

Shefi i Komisariatit urdhëroi shoferin F.H të zhvendosej majtas për ti bllokuar rrugën një automjeti tip Opel, me ngjyrë të zezë, me targë të huaj, i cili po vinte në drejtim të kundërt me automjetet e policisë. Në kabinën e tij ndodhej vetëm një person, i cili u identifikua më pas si L. Krasni, 17 vjeç, banues në Katund Sukth.

Drejtuesi i mjetit iu bind urdhrit duke ndaluar mjetin me të cilin udhëtonte.

Shefi i Komisariatit dhe dy punonjësit që e shoqëronin zbritën nga automjetet për të verifikuar rastin.

U urdhërua shoqërimi i automjetit për në Komisariatin e Shijakut, pasi rezultoi pa dokumente regjistrimi sipas ligjit. L. Krasni nuk kundërshtoi, F.H u urdhërua të hipte në kabinë për të siguruar shoqërimin dhe drejtuesi filloi manovrën për kthimin e automjetit mbrapsht, me drejtimin për Shijak.

Si u vra kryekomisari

Teksa automjeti VW Golf lëviz, në vendngjarje afrohet një automjet Mercedes, tip Regina 320, i pajisur vetëm me një targë të huaj në pjesën e pasme, i cili ndaloi përbri automjeteve të policisë.

Prej tij zbriti një person, i identifikuar më pas si Ilir Xhakja, person me precedentë të shumtë kriminalë. Gjatë këtij gjykimi u provua se ky person u drejtua tek automjeti tip Opel, hapi derën e pasagjerit dhe nxori përjashta me dhunë policin F.H, duke iu drejtuar me fjalët: Çpunë ke ti me nipin tim?  Polici F.H. u prezantua menjëherë dhe personi që sulmoi ndërpreu për një çast veprimet ndaj tij.

Pikërisht ky është dhe çasti fatal kur në këtë konflikt u përfshi Shefi i Komisariatit, i cili, në ushtrim të detyrës, e pyeti personin kush ishte dhe çfarë kërkonte.

Sipas dëshmisë së bashkë të pandehurit F.H, Xhakja reagoi menjëherë në mënyrë të dhunshme, duke u shprehur Unë jam ai që të q… motrën dhe nxori pistoletën nga brezi.

U provua gjatë gjykimit se në këtë moment Shefi i Komisariatit bëri prapa duke i bërë thirrje Ilir Xhakjes që të mos afrohej, kurse polici F.H ndërhyri duke i dalë para autorit dhe duke bërtitur disa herë me zë të lartë: Është Shefi i Komisariatit…!

I pandehuri Ilir Xhakja, duke shtyrë me trup policin F.H, mundi të vendosë dorën mbi supin e tij dhe qëlloi gjashtë herë rresht mbi trupin e Kryekomisarit.

Polici F.H u mundua të mbante në krahë Shefin e Komisariatit teksa po rrëzohej dhe menjëherë pas kësaj njoftoi Komisariatin e Policisë për ngjarjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›