E Diel, 1 Nëntor 2026

DPT: Tatimpaguesit, të drejtë rishikimi nëse kanë marrë përgjigje negative për përfitimin nga ligji i faljes

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi sot se tatimpaguesit që kanë marrë përgjigje negative për përfitimin nga ligji i faljes së detyrimeve tatimore, kanë të drejtë të kërkojnë rishikim të rastit të tyre.

Sipas njoftimit të DPT, subjektet e interesuara duhet të paraqesin një kërkesë ose ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, të shoqëruar me dokumentacionin provues sipas rastit.

Administrata Tatimore do të shqyrtojë çdo kërkesë të paraqitur dhe, në rast se konstaton se plotësohen kushtet ligjore, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për reflektimin e përfitimeve të parashikuara nga ligji për fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara.

Pak ditë më parë, administrata Tatimore përmbylli procesin automatik të fshirjes dhe shuarjes pa kushte të detyrimeve tatimore të papaguara për kategoritë e përcaktuara në ligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”.

Sipas DPT-së, nga ky proces kanë përfituar 105 409 tatimpagues, ndërsa vlera totale e detyrimeve të fshira dhe të shuara arrin në rreth 91,6 milionë euro.

Po sipas të dhënave të DPT-së, 70,5 milionë euro i përkasin gjobave administrative të vendosura nga inspektorët tatimorë për detyrime të papaguara që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2014 dhe me datë kontabilizimi deri më 31 dhjetor 2024. Nga kjo masë kanë përfituar 13 667 tatimpagues.

Ndërkohë, 21,1 milionë euro i përkasin gjobave të tjera administrative, përfshirë gjobat për dorëzimin me vonesë të deklaratave tatimore, që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2024 dhe me datë kontabilizimi deri më 30 qershor 2026.

Sipas ligjit, përfitimi është aplikuar për rastet kur deklaratat përkatëse kanë statusin “e dorëzuar”. Në këtë kategori kanë përfituar 96 302 tatimpagues.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›