E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Izraeli këmbëngul për praninë ushtarake në Libanin jugor, ndërsa Rubio mbështet marrëveshjen SHBA–Iran

TEL AVIV/DUBAI, 24 qershor /ATSH/- – Izraeli ka deklaruar se trupat e tij nuk do të tërhiqen nga Libani jugor, duke shtuar një tjetër pikë tensioni në negociatat e ndjeshme SHBA–Iran për një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme, raportoi “Reuters”.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të vazhdojnë praninë në zonë, të cilën Tel Avivi e konsideron si një “korridor sigurie” për mbrojtjen e veriut të vendit. Sipas tij, nuk ka asnjë kërkesë nga SHBA-ja për tërheqje.

Deklaratat vijnë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë nënshkruar një marrëveshje paraprake, për t’i dhënë fund një konflikti, që ka destabilizuar rajonin dhe ka ndikuar në ekonominë globale, veçanërisht pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore, me naftë dhe gaz të lëngshëm.

Megjithatë, marrëveshja është shoqëruar me interpretime të ndryshme dhe polemika të forta, përfshirë çështjet e sanksioneve ndaj Iranit, kontrollin e Hormuzit dhe rolin e Izraelit në Liban.

Kritikat ndaj administratës amerikane janë shtuar si brenda SHBA-së, ashtu edhe në rajon.

Në terren, situata mbetet e tensionuar. Autoritetet libaneze dhe burime mjekësore raportuan se një sulm izraelit me dron, në jug të Libanit ka shkaktuar të paktën dy të vrarë.

Ushtria izraelite tha se po verifikon raportimet dhe njoftoi më herët se kishte goditur disa militantë të Hezbollahut në zonë.

Ndërkohë, Irani ka bërë të ditur se çdo armëpushim në Liban, është po aq i rëndësishëm sa ai në Iran, duke theksuar lidhjen e konflikteve në rajon, si pjesë e një negociate më të gjerë paqeje.

Në kuadër të planit diplomatik, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio po zhvillon një tur në Lindjen e Mesme, për të bindur aleatët rajonalë, që po shprehin skepticizëm ndaj marrëveshjes me Teheranin.

Ai u takua me presidentin Sheikh Mohammed bin Zayed, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pritet të vizitojë gjithashtu Kuvajtin dhe Bahreinin.

Shtetet e rajonit, shumë prej të cilave janë goditur nga sulme iraniane gjatë konfliktit, kanë shprehur shqetësime, se marrëveshja mund të jetë tepër e favorshme për Iranin, përfshirë fondet e mundshme ekonomike dhe lehtësimin e sanksioneve.

Debat të fortë ka edhe mbi programin bërthamor iranian. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se, parandalimi i Teheranit nga zhvillimi i armëve bërthamore, ishte arsyeja kryesore e konfliktit, ndërsa Irani këmbëngul se nuk ka plane për armë të tilla dhe refuzon disa nga kushtet e raportuara për inspektime “të pakufizuara”.

Në lidhje me Ngushticën e Hormuzit, ku tashmë është rikthyer qarkullimi i anijeve dhe çmimet e naftës kanë rënë, diskutimet vazhdojnë mbi mënyrën e menaxhimit të saj në të ardhmen.

Irani, Omani dhe shtetet e Gjirit po shqyrtojnë modele të reja administrimi, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të vendosen tarifa apo jo.

Sipas burimeve diplomatike, palët ende nuk kanë arritur një konsensus përfundimtar mbi kushtet ekonomike dhe të sigurisë në ngushticë, duke e lënë marrëveshjen në një fazë delikate. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›