E Shtunë, 31 Tetor 2026

DW: Gjunjëzimi i pasinqertë i Nikoliqit

Kërkimi i faljes i presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq për masakrën e Srebrenicës nuk është i sinqertë. Ai është vetëm një hap në drejtimin e duhur, drejt pajtimit mes popujve, konstatohet në një koment të Deutsche welle.

Është interesante që pikërisht Nikoliqi në një intervistë për Televizionin boshnjak BHT e pranon hapur fajin për krimet e serbëve në masakrën më të tmerrshme ndaj myslimanëve boshnjakë. Më tej theksohet ndryshe nga Boris Tadiq me orientime pro perëndimore, i cili poashtu ka kërkuar falje, Nikoliqi ka qenë një ultracionalist nga i cili Evropa nuk ka pritur një gjest të tillë. Nikoliqi ka kundërshtuar deri para disa vitesh hapur dorëzimin e Mlladiqit dhe Karaxhiqit në Hagë, ku akuzohen për krime lufte. Tribunalin e quante si të njëanshëm. Deklarata e tij si një përfaqësues i bllokut të djathë politik është një sinjal i rëndësishëm brendapolitik. Ndaj nuk është ndonjë befasi që ai kritikohet nga qarqet nacionaliste në vend, thuhet në koment.

Pasi autorja e komentit pyet se çfarë pasojash mund të ketë ky kërkim falje për viktimat, ajo thekson se "Nënat e Srebrenicës" kritikojnë Nikoliqin se nuk mund ta nxjerrë nga goja edhe fjalën gjenocid. “Së pari duhet shikuar nëse presidenti serb ka bërë përpjekje që të relativizojë dhe t'i barazojë krimet në hapsirat e ish - Jugosllavisë, të cilat kanë pasur edhe karakteristikat e gjenocidit. Në deklaratën e tij ka fjali relativizuese, ku mund të shtrohet pyetja e sinqeritetit të kërkimit falje”.

Këto dyshime duhet thelluar edhe për disa aspekte të tjera: Kur ai flet për "gjunjëzimin dhe kërkon falje për Serbinë", Nikoliqi rri i ulur në kolltuk. Pendimi i mirëfilltë duket ndryshe. Gjunjëzimi i ish kancelarit gjerman Willy Brandt në Varshavë para disa dekadash para përmendores së viktimave të nacionalsocializmit, ishte një gjest vërtetë i bindshëm. Ndaj ky gjest autentik ka shkruar edhe histori, thuhet mes tjerash në këtë koment të DW./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›