E Diel, 1 Nëntor 2026

Daçiq: Na ka mbetur vetëm edhe ta njohim Kosovën!

Kryeministri serb Daçiq ka deklaruar për mediat serbe se nuk e di se në ç’drejtim mund të zhvillohen më tej bisedimet me Prishtinën sepse përfaqësuesit e saj nuk duan të flasin për dhënien e kompetencave ekzekutive bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.

"Serbia ka treguar korrektësi, nuk di çfarë mund të propozojmë më, pos që të pranojmë pavarësinë e Kosovës e të themi “asgjë jona nuk po merret parasysh, bëni ç’të doni” !
“Por, çfarë do të ndodhë me serbët në Kosovë?", është pyetur Daçiq nga B92.

Ai ka përsëritur se të hënën do të shkojë në Bruksel për të vazhduar dialogun por nuk e di fare se për çfarë do të bisedoj me kryeministrin e Kosovës.

"Mos më pyetni çfarë do të bëj atje (në Bruksel). E kam shumë të vështirë dhe nuk e di", ka thënë Daçiq.

"Ne po pajtohemi vetëm për një gjë, për atë se problemi i paralelizmit të institucioneve mund të zgjidhet me formimin e bashkësisë së komunave. Por, megjithatë, ata nuk dëshirojnë të flasin për kompetencat ekzekutive për këtë bashkësi, pasi për ata kjo temë është krejtësisht e papranueshme, ashtu siç janë të papranueshme për ne disa tema të tjera", ka thënë ai.

"Nëse dikush mendon se për shkak të datës do të lëshojmë pe dhe do të pranojmë diçka që nuk është në interesin tonë shtetëror e kombëtar – ai ka qasje të gabuar”, ka shtuar Daçiq./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›