Daçiq: Serbia do ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit

Në një konferencë për gazetarë pas bisedimeve me shefin e diplomacisë gjermane Guido Vestervele, Daçiq tha se Serbia nuk ka më kohë për pritje dhe çdo shtyrje e vendimit mbi datën për fillimin e negociatave me BE mund të ketë pasoja katastrofale për të ardhmen e saj.
“Është me rëndësi jetike për Serbinë që ta marrë datën për fillimin e negociatave, jo pse dikush arbitrarisht dëshiron të shkojë drejtë BE veç për shkak se kjo i duhet popullit tonë dhe shtetit i cili gjatë disa dekadave të shkuara është në ngecje në raport me shtetet tjera të rajonit” tha Daçiq.
Ministri Vestervele paralajmëroj sot në Beograd se do t’i jap mendim pozitiv Bundestagut dhe Qeverisë gjermane lidhur me çështjen e dhënies së datës për fillimin e negociatave të Serbisë në qoftë se do të ketë rezultate të prekshme në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.
Duke folur mbi zbatimin e marrëveshjes ai theksoi në konferencën e përbashkët me kryeministrin serb, se “nuk ka të bëjë me orët por për vendimin e marrë me kohë. Serbia mund t’i bëjë mirë Evropës por edhe Evropa Serbisë dhe prandaj është në rregull dhe e rëndësishme që në këto orë historike të merren vendime të drejta. Marrëveshja e 19 prillit mund të quhet historike, por tash është me rëndësi që të gjendet dakordimi mbi zbatimin dhe të jenë të prekshëm hapat e parë konkret të zbatimit“, tha Vestervele.
Ai ceku se vizita e tij është “gjest i inkurajimit” dhe shtoi se e kupton se nuk kihet të bëhet për diskutimet e thjeshta në Serbi.
“Rastet e tilla historike nuk ofrohen shpesh dhe kur ofrohen duhet të shfrytëzohen”, rekomandoi ai dhe iu falënderua në veçanti kryeministrit Daçiq për guximin dhe liderizmin që ka treguar.
Sipas fjalëve të tij “perspektiva evropiane e Serbisë di vetëm për fitues” e kjo para se gjithash është e rëndësishme për gjeneratën e re që situata e saj të përmirësohet me anët ë investimeve dhe vendeve të reja të punës.
Kryeministri serb i është falënderuar ministrit gjerman vizitën të cilit e përjeton si inkurajim në rrugën e integrimeve evropiane.
”Këtë vizitë e konsiderojë inkurajim dhe një lloj mbështetje për atë që qeveria dhe kreu i shtetit kanë bërë gjatë disa muajve të kaluar në pozicionim ndryshe të Serbisë, duke marrë vendime të cilat nuk kanë qenë të lehta por të cilat kanë qenë me interes më të lartë shtetërori e kombëtar” ceku Daçiq. Ai shtoi se Serbia është vetëdijshme se për vazhdimin e procesit të integrimeve evropiane është i rëndësishëm jo vetëm dialogu me Prishtinën por edhe zbatimi i asaj marrëveshje.
Daçiq ka nënvizuar se nesër vazhdon dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës në Bruksel, ku Serbia do të bëjë përpjekje maksimale që të arrihen zgjidhjet dhe miratimi i planit të zbatimit, i cili bashkë me hapat e parë drejtë zbatimit, është i domosdoshëm për marrjen e datës.
“Pres që për këtë të jetë e vetëdijshme edhe Prishtina dhe pres se BE, respektivisht Ketrin Eshton, do të bëjë përpjekje maksimale që plani i jetësimit të jetë i pranueshëm nga të dy palët pa imponime të çështjeve që nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjes” vuri në dukje Daçiq.
Sipas fjalëve të tij, ujdia mbi planin për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit nënkupton edhe disa afate e veprime që duhet të kryhen në periudhën e planifikuar, dhe nuk janë të gjitha të lidhura me kohën për marrjen e vendimit mbi datën, sepse ekzistojnë veprime që nuk mund të kryhen aq shpejtë.
”Është e domosdoshme të harmonizohet dhe të miratohet plani i zbatimit dhe ajo që është parashikuar në disa javët e para që vërtetë të realizohet dhe të jetë e dukshëm në teren”, sqaroi Daçiq dhe shtoi se pret lajme pozitive për Vidovdan (28 qershor), kur duhet të merret vendimi mbi dhënien a jo të datës për fillimin e negociatave Serbisë me BE.
Shefi i diplomacisë gjermane mbrëmë ka biseduar me nën-kryeministrin e parë Aleksandar Vuçiq, kurse sot edhe me presidentin Tomsillav Nikoliq dhe ministrin jashtëm Ivan Mrkiq, dhe pastaj është nisur për në Prishtinë./rtk/