Daçiq: S’e kemi shitur Kosovën

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se qeveria e tij “nuk e ka shitur Kosovën” dhe se “ajo është pjesë përbërëse e Serbisë”.
I pyetur nga mediat serbe nëse Serbia ka tradhtuar luftërat ballkanike, Daçiq ka thënë se “territori i Serbisë sot është më i madh sesa në fund të atyre luftërave”.
“Ne nuk e shesim Kosovën. Ajo është pjesë përbërëse e Serbisë, por duhet mbijetuar. Edhe në kohën e shumë pjesëtarëve të familjes Karagjorgjeviq, Kosova nuk ka qenë në Serbi, por e kemi kthyer”, ka thënë Daçiq.
Të hënën, Daçiq ka thënë se organizimi eventual i referendumit për Marrëveshjen e Brukselit nuk do të duhej të shtynte zbatimin e saj, transmeton rel.
Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre më 19 prill, në Bruksel.
Ideja për referendumin rreth marrëveshjes ka lindur pas takimit që liderët e komunave veriore të Kosovës kanë zhvilluar javën e kaluar me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e Serbisë, Daçiq, përkatësisht Aleksandar Vuçiq.
Liderët e komunave veriore të Kosovës kanë insistuar që Serbia të përcaktohej nëse është për marrëveshjen apo për mbajtjen e Kosovës në Serbi, pasi që me marrëveshjen ata mendojnë se do të shkëputen nga shteti serb dhe do integrohen në shtetin e Kosovës.
Serbët e veriut do të takojnë prapë sot zyrtarët e Qeverisë së Serbisë, në Beograd.