E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiq nuk lëshon pe

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq të cilit, bashkë me kreun shtetëror serb, i kanë mbetur edhe dy ditë për të vendosur nëse e pranojnë o jo propozim marrëveshjen e Brukselit mbi veriun Kosovës , ka deklaruar sot në intervistat për gazetën Politika dhe Blic të Beogradit se e tillë çfarë është marrëveshja me Prishtinën nuk mund ta nënshkruajmë, dhe do të përpiqemi ta për mirësojmë duke paralajmëruar se vendimin mbi fatin e marrëveshjes do të merret të hënën në mbledhjen e Qeverisë. Daçiq sot ka takime me kryetarët e partive dhe të shefave të grupeve parlamentare në Kuvendin e Serbisë.

Daçiq ka thënë se nuk është fjala vetëm mbi atë nëse marrëveshje do të nënshkruhet sepse edhe sikur kjo të bëhej, ajo do të ishte e pazbatueshme në teren. “Të h nën në qeveri do të merret vendimi. Në Bruksel do të shkohet në qoftë se pranohet të nënshkruhet marrëveshja. Nëse nuk pranohet, vendimi i qeverisë në formën me shkrim do t’i përcillet Brukselit” ka cekur kryeministri serb. Sipas tij është e sigurt se kreu i shtetit do të jetë unik në marrjen e vendimit dhe çfarëdo të jetë ai, nuk do ta ndalojë rrugën e Serbisë drejtë BE.

Daçiq ka vlerësuar se mospranimi i marrëveshjes nuk nënkupton se negociatat kanë përfunduar. “Ne dëshirojmë që të vazhdohet më tutje kërkimi i zgjidhjes”, ka thënë ai dhe ka shtuar se çështjet kontestuese mund të zgjidhen vetëm me negociata. “Ne jemi të gatshëm për kompromis, por vetëm nëse ekziston më shumë mirëkuptim për qëndrimet tona”, ka vu në dukje Daçiq për gazetën Blic, duke saktësuar se kjo para se gjithash ka të bëjë me çështjen e policisë dhe të gjyqësisë në Bashkësinë e komunave serbe.

Ndërkaq për gazetën Politika Daçiq thotë se nëse nuk do të ketë edhe tash marrëveshje, nuk është e mundshme të thuhet se nuk do të bisedohet më tutje mbi Kosovën. “Me siguri do të bisedohet. Kush do të bisedojë dhe në çfarë formati, në fund të fundit nuk është me rëndësi, por mendoj se dëshira për t’u vazhduar bisedimet me siguri ekziston” ka thënë kryeministri serb.

Duke saktësuar çfarë ka ofruar BE në marrëveshje, e cila për Beogradin është e papranueshme, Daçiq ka thënë se është propozuar formimi i bashkësisë së komunave serbe e cila do të funksionojnë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Kartës evropiane për vetëqeverisjen lokale. Ajo do t’i kishte kompetencat nga kompetencat që i kanë komunat, se Prishtina për momentin nuk dëshiron t’i jap asnjë kompetencë shtesë asaj bashkësie, e në të ardhmen ndoshta do të mendohet që edhe policia rajonale e Kosovës të mos jetë në veri veç ta përfshijë edhe Mitrovicën jugore.

“Kjo automatikisht sjell raportin 65 ndaj 35 në favor të shqiptarëve, dhe nuk ka gjykatë të apelit veç kjo të jetë njëfarë gjykate shitëse e cila kohë pas kohe do të vinte në veri. Kështu si është ofruar, ne vërtetë nuk kemi çka të pranojmë”, ka nënvizuar Daçiq për gazetën Politika./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›