Daci: Vitit 2012 ishte i mirë për LDD-në

Kryetari i LDD-së, akademik Nexhat Daci ka pritur sot në takimin e fundvitit përfaqësuesit e strukturave qendrore të partisë.
Kryetari Daci me këtë rast ka thënë se ky vit ka qenë i suksesshëm me mundësi të krijimit të bashkëpunimit sa më të ngushtë me AAK-në, por edhe me subjektet tjera.
"Po presim një vit të ri shumë më të relaksuar se një vit më parë dhe kjo është meritë e anëtarësisë dhe e juaja si kryesi e LDD-së dhe si strukturë që, me punën tonë të pandalshme, gjatë një viti në rrethana jo të mira arritëm të realizonim një qëndrim që e kishim aprovuar në fund të viti të kaluar, se LDD nuk do të shkrihet askund por LDD do të bashkëpunoj për krijim të unitetit në veprim, për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka thënë Daci.
Ai tutje ka thënë se sot jemi gati në prag të realizimit të plotë të saj sepse dje e kishim kryetarin e AAK, Haradinaj me të cilin kemi ndërtuar një partneritet që pas çlirimit të Kosovës.
“Ky vit ka qenë i suksesshëm me mundësi të krijimit të bashkëpunimit sa më të ngushtë me AAK-në, por edhe me subjektet tjera. Dje është kurorëzuar ajo me AAK-në dhe unë i falënderoj edhe mediat që e kanë përcjell. Është arritur në plotësi ajo për çka ishim përcaktuar. Jemi në rrugëtim e sipër për krijimin e partneriteteve të ngushta edhe me subjektet tjera politike”.
Daci po ashtu ka treguar se rruga e LDD-së për krijimin e një koncepti udhëheqës për Kosovën do t’i pëlqej qytetarëve të Kosovës kur ta shpalosim sepse, sipas tij është një vision që, me një dinamikë, në kohë, në secilin vit çka ka me u arrit. Cilat janë synimet, cilat janë inputet financiare për t’u kryer ai proces dhe cilat janë rezultatet në përmirësimin konkret të jetës së qytetarit në Kosovë.
“Ne sot nuk do të merremi me sharje dhe me fyerje të askujt sepse duke u marrë me gjëra të tilla Shqipëria po e paguan shumë shtrenjtë duke mos e marr statusin e kandidatit për BE, ndërsa Kosovën po e lëndojnë shumë më tepër se Shqipërinë duke i dhënë argumente kundërshtarëve të shtetit të Kosovës se vërtet nuk dimë me bë shtet dhe kjo nuk është e vërtetë. Do të jetë një vit vendimtar me ja kthyer shpinën rezultatit të zgjedhjeve të përlyera që ne i kishim definuar në start dhe nga ku u prodhuar një strukture që nuk arriti me përfitu përkrahjen e qytetarëve të Kosovës”. /Indeksonline/