Vjedhja e arit, degradohen tre zyrtarë policor

Inspektorati Policor i Kosovës, pas përfundimit të hetimeve për shkelje të rëndë disiplinore, për përgjegjësit e menaxhimit në Rajonin e Pejës, në lidhje me rastin e vjedhjes së 25 kilogramë ari në dhomën e dëshmive, i rekomandon drejtorit të përgjithshëm të Policisë se Kosovës që ndaj zyrtarëve policorë: kolonel Ahmet Hasi, major Bajram Koliqi dhe toger Riza Rexhiqi të shqiptojë masën disiplinore: degradim dhe transferim administrativ.
Inspektorati Policor i Kosovës rekomandon për herë të parë një masë të tillë ndaj zyrtarëve menaxhues policor.
“Ne do të vazhdojmë që përmes veprimtarisë sonë të sigurojmë një Polici të përgjegjshme, demokratike, transparente dhe llogaridhënëse për qytetaret e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga Jetullah Aliu, drejtor i Departamentit të Hetimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës./Indeksonline/