E Diel, 1 Nëntor 2026

Sillnin heroinë nga Turqia, arrestohet tre kosovarë

Arrestohen tre të dyshuar për krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psiko-tropike

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas hetimeve gjashtëmujore, mbrëmë, rreth orës 19:00, në Prishtinë ka ndaluar tre persona nën dyshimin se janë duke bërë shitblerje të substancave narkotike të llojit heroinë.

Gjatë kontrollimit të tyre në xhepin e rrobave të njërit nga të dyshuarit është gjetur një sasi e pluhurit të dyshuar, më pas një sasi tjetër e pluhurit të heroinës është gjetur në veturën e njërit të dyshuar.

Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë kontrollimi i tri shtëpive të të dyshuarve.

Gjatë kontrollimit janë gjetur dhe janë konfiskuar: rreth dy kilogramë pluhur e dyshuar se është substancë narkotike e llojit heroinë, një armë automatike e tipit A-47 së bashku me 22 fishekë, një revole, 1 900 euro, dy vetura dhe prova të tjera materiale.

Bazuar në hetimet e zhvilluara dyshohet se të dyshuarit kanë vepruar si grup i organizuar dhe substanca narkotike është sjellë nga Turqia.

Inicialet e personave të arrestuar janë: F. M. 1972, B. XH. 1967 dhe
Z.G. 1967, që te tre shqiptarë të Kosovës.

Personave të dyshimtë, me urdhër të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë u është shqiptuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›