Daci kërkoi unitet të spektrit politik në ruajtjen e sovranitetit të vendit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, kritikoi Qeverinë e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare, për siç tha ai, futjen e Kosovës në karantinë, duke iu mohuar e drejta e lëvizjes së lirë, sikur të gjitha vendeve të rajonit. Ai tha se qeverisja në vend nuk ka arritur të krijojë vullnet politik që parametrat teknik për integrimin në Evropë, t’i kryej me kohë.
Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, kërkoi nga gjithë spektri politik që t’i ndërrojë prioritetet në fusha të ndryshme, në mënyrë të veçantë, sa i përket integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ai, kritikoi edhe Qeverinë edhe bashkësinë ndërkombëtare për ngecjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.
“Në 13 vjet bashkëjetesë me bashkësinë ndërkombëtare, është e turpshme pas shpenzimit të çdo vjet miliarda dollarëve për ndihmë Kosovës dhe rinia jonë të jetë e karantinizuar, biznesi të jetë në karantinë. Kjo nuk është e justifikueshme”, tha Daci, transmeton RTK.
Kreu i LDD-së, tha se në ndërrimin e prioriteteve strategjike të vendit, duhet që së pari të jetë Kosova, e më pas bashkësia ndërkombëtare. Ai, kërkoi unitet të spektrit politik, në ruajtjen e sovranitetit të vendit dhe në reciprocitetin e plotë me Serbinë.
“Ftoj partitë politike që ta tejkalojnë vetveten dhe të krijojnë unitet dhe qeverisjen që ta lërë krekosjen që është më e mira në dynja, por të luftohet me unitet të plotë në ruajtje të sovranitetit dhe integritetit kushtetues të Kosovës dhe reciprocitet të plotë në të gjitha aspektet”, tha ai.
Këto komente, Daci i bëri në gjashtë-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, ku ishte i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri. Ky i fundit, tha se ndihet si në shtëpinë e tij, ndërsa i bëri ofertë të hapur LDD-së për bashkëpunim me LDK-në.
“Them që ky vit është vit i zgjedhjeve mbi të gjitha lokale. T’i bëjmë forcat bashkë dhe t’i heqim prej pushteti ata që më së paku punojnë për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, tha Beqiri.
Manifestimin me rastin e gashtë-vjetorit të themelimit të LDD-së, e përshëndeti edhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik në Luginën e Preshevës, Riza Halimi, i cili kërkoi nga faktori politik shqiptar në Kosovë, ta ketë më shumë në vëmendje Luginën e Preshevës. /Indeksonline/