E urojnë Hoxhajn

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë telegrame të shumta urimi me rastin e shënimit të pesë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoğlu, duke i uruar popullit të Kosovës pesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë, thekson se Turqia do të vazhdojë përkrahjen e saj në aspektin e njohjeve ndërkombëtar të Kosovës dhe në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
“Përcjellim me admirim të gjitha përpjekjet e juaja për krijimin e një Kosove shumetnike, shumëkulturore, demokratike dhe me të ardhme të ndritur dhe përkrahim me sinqeritet të gjitha angazhimet e institucioneve kosovare në këtë proces të reformimit”, thotë Davutoğlu, në telegram, nënë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme.
János Martonyi, ministër i Punëve të Jashtme i Hungarisë në telegram thekson ndër të tjera se arritjet e Kosovës në pesë vjetët që kanë kaluar që nga shpallja e pavarësisë e kanë justifikuar besimin e Hungarisë në shtetin e ri, duke qenë ndër shtetet e para që e kana njohur pavarësinë e Kosovës.
“Unë mund t'ju siguroj për mbështetjen e vazhdueshme dhe konsistente të Hungarisë për forcim të shtetit të Kosovës, si dhe procesin e integrimit Euro-Atlantik”, thotë Martonyi në telegramin dërguar ministrit Hoxhaj.
Karel Schëarzenberg, ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Çekisë, në telegramin dërguar ministrit Hoxhaj uron qytetarët e Kosovës në pesë vjetorin e shtetësisë së Kosovës.
Me rastin e shënimit të pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ministri Hoxhaj ka marrë telegrame urimi edhe nga zëvendëskryeministri, ministër i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane i Malit të Zi, Igor Lukšić, ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Lituanisë, Linas Linkevičius e shumë homologë të tjerë. /Indeksonline/