E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daci, s’ka politizim të ASHAK-ut, mbështet ndryshimin e ligjit

(E plotësuar) Pas akademik Rexhep Qosjes, një tjetër akademik flet për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Për dallim prej Qosjes që mendon se ASHAK-u është politizuar nga LDK-ja, Nexhat Daci e mendon të kundërtën.

Madje ai nuk heziton t’i quajë deklaratat e akademik Qosjes “gafë për një çmim shumë të lartë”. Ai megjithatë pajtohet se duhet të bëhet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për ASHAK-un, sikur që pajtohen edhe drejtuesit e ASHAK-ut, por që i konsiderojnë të “cektë” argumentimin e nismëtarit të ndryshimit të këtij ligji, deputetit të PDK-së, Ramë Vataj.

Në një intervistë për Kosovapress, akademik Daci ka thënë se ka respekt për krijimtarinë e akademik Rexhep Qosjes, por e konsideron si një prej individëve që merr beneficione nga ASHAK-u pa participuar në jetën akademike.

Ai ka thënë të kundërtën e asaj që e ka pohuar Qosja, i pyetur nëse Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës është e politizuar.

“Jo. Unë mendoj që është gafë ndoshta për një çmim të lartë. Unë e respektoj krijimtarinë e tij, as nuk di ta çmoj, sepse i lexoj vetëm si art, si pjesë artistike për edukatë time, por individët që nuk participojnë në jetën e akademisë për më shumë se 15 vjet dhe që i marrin të gjitha beneficionet e akademisë, nuk do t’i komentoja”, ka thënë Daci.

Mohimin për politizimin e ASHAK-ut, akademik Daci, aktualisht kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë të ndarë nga LDK-ja, pas humbjes së mundësisë së tij për t’u zgjedhur në krye të kësaj të fundit, e mbështet në përvojën e tij 16 vjeçare si pjesë e kësaj akademie, duke thënë se po të argumentohej e kundërta që thotë, do të turpërohej nga vetja.

“Unë asnjëherë qe 16 vjet gjithmonë prej ditës së parë kam qenë në strukturat krijuese të akademisë, nuk kam hasur që një krijues i mirë nuk lejohet të propozohet se nuk është për shembull i lirë, nuk është i PDK-së, AAK-së, Vetëvendosjes etj. Kjo nuk qëndron dhe po të ngjante dhe ta argumentonte vetëm një kuvend ose një diçka, unë do të turpërohesha prej vetvetes. Asnjëherë nuk kam parë, as në takimet publike as në kafe pune. Do të ishte marria më e madhe ordinere, një krijues i mirë të pësojë vetëm për idetë e veta”, ka thënë Daci.

Por, megjithatë, ai pajtohet që Ligji për ASHAK-un ka nevojë të ndryshohet dhe pranon se në akademi dominojnë akademikët nga letërsia dhe arti, përderisa shpreh keqardhje që në kuvendin e fundit të ASHAK-ut kishte leje që të pranoheshin katër të rinj në shkencat natyrore, mirëpo u pranuan vetëm dy, pikërisht për shkak se struktura e shkencave të tjera i zgjedh edhe ata të shkencave natyrore.

“Akademia ka nevojë të përtëritjes prej ligjeve e të veprimtarisë së vetë në kuptimin e vazhdimësisë, sepse rrethanat në botë po ndryshojnë, rrethanat nëpër akademitë e shkencave të vendeve demokratike kanë ndryshuar”, ka thënë Daci.

Deputeti i PDK-së, Ramë Vataj, javë më parë ka inicuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ASHAK-un, ndërkaq të hënën ka reaguar kryesia e ASHAK-ut përmes një komunikate duke mos e kontestuar të drejtën e deputetëve që të ndërmarrin nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë, por argumentimin që e quajnë të cektë dhe në disa pika të paqëndrueshëm të kësaj nisme.

“Është për të ardhur keq që në kërkesën për ndryshim të Ligjit për Akademinë, me mënyrën e argumentimit pa një hulumtim të gjendjes dhe pa njohuri elementare për subjektin, del në pah synimi për ndërhyrje politike në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në Këtë arsyetim është thënë pa ekuivoke se ‘me këtë ndyshim dhe plotësim të Ligjit për ASHAK të trajtohen patjetër kriteret dhe procedurat e nevojshme për zgjedhjen e kanditatëve të rinj për anëtarë të ASHAK’. Ne ua bëjmë me dije deputetëve të kësaj nisme se ‘kriteret dhe procedurat e nevojshme’ edhe deri tash kanë pasur bazë të qëndrueshme ligjore dhe se janë mbështetur kryekëput në ligj, në statut, në rregullore dhe në procedura thellësisht demokratike”, thuhet në reagimin e ASHAK-ut.

Më tej thuhet se me rastin e kësaj nisme, kryesia e ASHAK-ut i ka bërë një analizë ligjit ekzistues dhe propozuesit të ndryshimeve është në gjendje t’i ofrojë ndihmën e saj, duke u bazuar në njohjen e situatës brenda Akademisë dhe të nevojave shoqërore të veprimeve të saj. Po ashtu, kryesia e ASHAK-ut konsideron se në procesin eventual të ndryshimeve të ligjit duhet të përfshihen, krahas Akademisë, edhe një spektër i gjerë përfaqësuesish të institucioneve shkencore dhe përgjithësisht njerëz të shkencës e të artit.

Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës në një reagim të saj, ka kundërshtuar nismën për ndryshimin e këtij ligji, duke thënë se PDK-ja po synon ta shtetëzojë ASHAK-un, për të vënë kontroll politik e ideologjik mbi institucionin më të lartë të dijës, shkencës dhe të kulturës në Republikën e Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës tendencën e PDK-së për të ndryshuar Ligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e konsideron të dëmshme, të papranueshme dhe të frymëzuar nga një logjikë staliniste”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›