E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Kufiri i integruar, vlerë europiane

Kryeministri Hashim Thaçi, duke u ndalur te çështjet që pritet të diskutohen sot dhe nesër në Bruksel, në mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, ka deklaruar se gjithçka që është në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane, për Kosovës do të jetë e pranueshme. Kurse, sa i përket akuzave të Dick Martyt, ai nuk ka treguar se a është pjesë e intervistave të prokurorisë, të cilat kanë filluar.

I pari i ekzekutivit, Hashim Thaçi ka thënë të hënën se çështjet që do të diskutohen në Bruksel janë çështje ndërshtetërore në mes Kosovës dhe Serbisë, duke shpresuar që do të ketë një avancim të këtij procesi, në mënyrë që të ndërtojmë një fqinjësi të mirë që do të hapte perspektivat euro-atlantike për Kosovën, por edhe për Serbinë.

“Çdo zgjidhje që ne e kemi propozuar, janë modele më të lara evropiane, prandaj ne do të punojmë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet tona, me mandatin e Kuvendit të Kosovës dhe vlerat evropiane”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, sa i përket çështjes se Serbia, e cila në këtë proces synon të hap dialogun edhe për pikat doganore në veri, i pari i ekzekutivit ka thënë se për Kosovën do të jetë e pranueshme gjithçka që është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Gjithçka që është në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane, për Kosovën do të jetë e pranueshme dhe do të shtyjmë që të lëvizë përpara. Kufiri i integruar menaxhues, është në përputhshmëri të plotë me autoritetin tonë kushtetues dhe është vlerë e standard evropian”, ka thënë Thaçi.

Kurse, i pyetur se a është pjesë e të intervistuarve të Prokurorisë, lidhur me akuzat e Dick Martyt, kryeministri Thaçi ka thënë se janë të përkushtuar që Kosova të lirohet nga kjo barrë e padrejtë e një raporti politik.

“Ne si institucione të Republikës së Kosovës, por edhe si vend e qytetarë, jemi të përkushtuar që kjo barrë e padrejtë ndaj Kosovës dhe popullit të Kosovës, apo Kosova të lirohet nga kjo barrë e padrejtë e një raporti të motivuar politikisht. Ne i besojmë drejtësisë dhe i japim mbështetje të plotë drejtësisë dhe do të bashkëpunojmë”, ka thënë Thaçi.

Këto komente, kryeministri Thaçi i bëri pas takimit të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për sundimin e rendit dhe ligjit. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›