Daçiç: Për shkak të zgjedhjeve në Kosovë mund të dështojë marrëveshja
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë sot se në fillim të gushtit skadon afati për paraqitjen e listave zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë dhe nëse nuk do të ketë qasje konstruktive mund të dështojë jo vetëm marrëveshja e Brukselit por edhe rruga evropiane e Serbisë.
Në një konferencë për shtyp, Daçiç ka thënë se më 24 korrik në Bruksel do të takohet me përfaqësuesen e lartë të BE për Politikë të Jashtme e Siguri, Catherine Ashton dhe Hashim Thaçin dhe do të bisedojnë mbi telekomunikacionet dhe energjetikën dhe se para tyre gjenden edhe bisedimet e rëndësishme lidhur me zgjedhjet lokale në Kosovë.
Ai ka përsëritur se javën e ardhshme partitë e koalicionit në pushtet do të bisedojmë mbi zgjidhjet për rikonstruktimin e qeverisë dhe në bazë të kësaj qeveria do të deklarohet dhe do ti propozojë zgjidhjet e reja parlamentit deri në fund të korrikut.
Daçiç ka rikujtuar se Komisioneri për zgjerim i BE, Stefan Fyle do të vizitojë Beogradin gjatë korrikut dhe do të ketë takim me ekipin teknik që do të thotë se gjatë ditëve të ardhshme duhet të arrihet marrëveshja për formimin e të gjitha ekipeve, si ato kryesore ashtu edhe ato teknike si dhe negociatori kryesor me BE për anëtarësimin e Serbisë.