Dacic: Situata në veri mund të rëndohet

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic iu ka bërë thirrje serbëve të veriut të Kosovës që të mos krijojnë probleme me trupat ndërkombëtare, pasi kjo bie ndesh me interesat e Serbisë.
Gjithashtu, Dacic ka paralajmëruar se situata në veri të Kosovës mund të rëndohet nëse palët do të flasin në gjuhën e armëve.
“Ajo që ka ndodhur në barrikada është vetëm një grimcë krahasuar me atë që mund të ndodhë, prandaj është i nevojshëm dialogu”, citohet Dacic nga “RTK”.
Deklaratën e tij ministri i Brendshëm e ka bërë gjatë një vizite në Shkup, ku nënshkroi me homologen maqedonase një marrëveshje për bashkëpunim policor.
“Ekziston një presion i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe nëse Serbia merr kandidaturën e vetë do ta ketë më të lehtë të mbrojë qëndrimet e saj lidhur me Kosovën”, ka shtuar Dacic.
Deklarata e tij, e konsideruar si një paralajmërim, vjen pas asaj të bërë rreth një javë më parë, ku theksoi se Serbia duhet të jetë e gatshme të luftojë për të mbajtur Kosovën.
Dacic deklaroi se askush nuk duhet të mendojë se Serbia e ka humbur Kosovën dhe se nuk është e gatshme të luftojë për të.
“Vija e kuqe e Beogradit është sulmi i armatosur i Hashim Thacit ndaj serbëve të Kosovës. Thaci duhet ta dijë se me sulmin ndaj serbëve të Kosovës sulmon Beogradin dhe ne këtë nuk mund ta tolerojmë”, tha ai.