Daçiç, Xhombiç: Zgjerim të bashkëpunimit ekonomik

Kryeministri serb, Ivica Daçiç, dhe homologu i tij i Republika Srpskas, Aleksandër Xhombiç, u pajtuan për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet të dyja palëve përmes zbatimit të projekteve konkrete.
Agjencia e lajmeve HINA bëri të ditur se kjo temë ishte në qendër të takimit të së martës ndërmjet të dy politikanëve serbë.
Daçiç dhe Xhombiç kërkuan gjithashtu respektimin e marrëveshjes së Dejtonit, e cila siç thanë ata, nuk bën të ndryshohet pa konsensusin e të tri popujve dhe dy entiteteve që jetojnë në Bosnjë.
Pas takimit, Daçiç tha se nuk është tërësisht i kënaqur me bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe entitetit serb të Bosnjës.
“Projektet konkrete janë të nevojshme nëse duam të zhvillojmë bashkëpunimin e mirëfilltë. Ky do të jetë prioritet i qeverisë së Serbisë dhe shpresoj se do të jetë i tillë edhe për Republika Srpskan”, tha ai.