Daçiç kërkon ndarje ose protektorat për pjesët serbe të Kosovës
Aksionet e qeverisë së Kosovës në veri e kanë komplikuar situatën në Kosovë, ka thënë zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiç, në një intervistë dhënë televizionit rus, Russia Today.
“Askush nuk mund të presë dhe të kërkojë nga Serbia që për çfarëdo qëllimi, qoftë ai edhe anëtarësimi në BE, të thotë se nuk i intereson Kosova dhe serbët që jetojnë atje”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se është e qartë që ekzistojnë ndarje të thella mes “Kosovës shqiptare dhe asaj serbe”, duke shtuar se “serbët dhe shqiptarët me shekuj grinden rreth territorit”.
“Zgjidhja e vetme e mundshme për jetë në paqe dhe vendosjes së pikës në të gjitha problemet që ekzistojnë është përkufizimi, në të cilin pjesët serbe të Kosovës do të mbeteshin në Serbi, ose do të ishin nën ndonjë administratë të përkohshme ndërkombëtare, e cila nuk do të ishte nën juridiksionin e Prishtinës”, ka thënë Daçiç.
Sipas Daçiç që nga bombardimet e NATO-s, nga Kosova në Serbi janë shpërngulur 200,000 serbë, ndërsa në këtë moment edhe 200,000 jetojnë në Kosovë.
“Serbia i ka vijat e saj të kuqe dhe nuk do ta lejojë Prishtinën që të përdorë dhunën kundër serbëve në Kosovë, me të cilën do të nxitej edhe një valë e konfliktit dhe spastrimit etnik”, ka thënë ai.
Sipas Daçiç, plani i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, është që të dërgojë KFOR-in dhe EULEX-in si pararojë të tij, në mënyrë që serbët të mos konfliktohen me të, por me forcat ndërkombëtare.
“Serbët sërish do të duhej të luftonin kundër tërë botës. Me këtë po përpiqet të thuhet se serbët janë faktori destabilizues, që është kundër bashkësisë ndërkombëtare”, tha Daçiç.
Ai ka thënë edhe se interes i Serbisë është që të bëhet anëtare e BE-së, por për arsye ekonomike.
“Nga ana tjetër, BE-ja kurrë zyrtarisht nuk ka thënë që Serbia duhet ta njohë Kosovën. BE-ja shpesh thotë se ajo nuk do ta detyrojë Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës, por është e qartë se ekzistojnë presione që të njihen disa gjëra dhe që në dyer të vogla, tërthorazi, të njihet pavarësia e Kosovës”, tha ai.
Ai shtoi se Serbia për hir të anëtarësimit në BE nuk do të shkojë në dëm të interesave të veta nacionale e shtetërore, ndërsa shtoi se Serbia me BE-në mund të negociojë ashtu si edhe me vendet e tjera për sistemin bujqësor ose politik, por jo edhe për një pjesë të territorit të saj.