Ratko Mlladiç shtrohet në spital

Ish-shefi i ushtrisë serbe boshnjake Ratko Mlladiç, i cili po përballet me akuza për krime lufte në Hagë, është shtruar në spital.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij Millosh Salik i cili theksoi se Mlladiç është shtruar në spital me pneumoni por pa dhënë hollësi të tjera.
Ndërkohë Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje.
Mlladiç ndodhet në burgun e gjykatës ndërkombëtare të Hagës që prej muajit maj, kur dhe u arrestua pas rreth 15 vitesh arrati.
Ai po gjykohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid, të ushtruar ndaj popullsisë joserbe të Bosnjes.
Ish-gjenerali konsiderohet gjithashtu si përgjegjësi kryesor për masakrën e Srebrenicës, në vitin 1995, kur u vranë në mënyrë barbare rreth 8 mijë myslimanë të Bosnjes.