E Diel, 1 Nëntor 2026

Daçiq kërcënon me arrestime të policëve të Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, th sot në Kralevë se katër pjesëtarët e MUP-it serb, të cilët tash e dy javë gjenden në paraburgim në Prishtinë, janë paraqitur nga vetë serbët të cilët punojnë ose janë funksionarë në institucionet e Kosovës.

Ai pastaj theksoi se do të bëjë krejt çka është e mundur që këta katër policë të lirohen, duke shtruar se për këtë ka biseduar edhe me ministren e punëve të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, të cilës ia ka bërë me dije se Serbia do të reagojë me reciprocitet.

“Në rastin e parë kur pjesëtarët e organeve të tyre (kosovare) të shkelin në territorin tonë do të reagojmë”, tha ai.

Por, ky ish pionier i Millosheviqit, nuk është i kënaqur as me Boris Tadiqin dhe kreun opozita, Tomisllav Nikoliq, të cilët i ka akuzuar se po krijojnë një lidhje të fshehtë në mes të tyre.

“Tadiqi dhe Nikoliqi mendojnë se mund të okupojnë tërë hapësirën politike të Serbisë, por kjo nuk është e mundshme, andaj i paralajmëroj me qëllim të mirë se Serbia është shumë më e madhe se kapacitetet e tyre. Gjithçka më duket sikur në këtë aleancë të tyre ka njëfarë lidhje të fshehtë”, u shpreh ai. (koha)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›