Kosova të ndahet në 7 zona elektorale

Kështu u tha të mërkurën në Mitrovicë, gjatë një debati me temën “Zgjedhje për qytetarin”, të organizuar nga ana e ATRC-së dhe KIPRED-it me OJQ-të dhe partitë politike në Mitrovicë.
Ardian Arifaj nga KIPRED-i, ka thënë se saherë që deri më tani janë organizuar zgjedhjet në Kosovë, asnjëherë nuk janë organizuar me sistem të njëjtë.
Sipas tij, me këtë sistem zgjedhor do të bëhet edhe decentralizimi dhe liberalizimi i partive politike, sepse më nuk do të ketë lider të fortë të partisë i cili do të marrë 100 mijë vota.
“Partitë tani po hezitojnë ta ndajnë Kosovën në zona, sepse lideri i partisë më nuk do të mund të jetë i fuqishëm siç është tani”, ka thënë Arifaj.
Ndërkaq, Afrëdita Sylaj nga organizata joqeveritare Community Building Mitrovica (CBM), ka theksuar se ky do të ishte sistemi më i mirë dhe më i lehtë për votuesit e Kosovës. Ajo u përkrah edhe nga OJQ-të tjera, të cilat potencuan se duhet të bëhet presion në partitë politike që të pranojnë hapjen e listave të kandidatëve.
Në anën tjetër, Ali Ahmeti, këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës nga radhët e PDK-së, ka thënë se ndarja e Kosovës në 7 zona elektorale është e mirë, por sistemi me lista të hapura duhet të hiqet pasi edhe gjatë zgjedhjet lokale të vitit 2007, kur është votuar me lista të hapura, ka pasur shumë defekte. /kosovapress/