E Diel, 1 Nëntor 2026

Dajti: Të zbardhen tabulatet e telefonave të policëve, Gjykata rrëzon kërkesën

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi sot kërkesën e Dritan Dajtit për zbardhjen e tabulateve të telefonave të policëve që morën pjesë në aksionin për kapjen e tij.

I akuzuari për vrasjen e 4 oficerëve të policisë më 7 gusht 2009, kërkoi që të zbardhen përgjigjet e bëra nga policia të cilat cuan në arrestimin e tij, kërkesë kjo e Arjan Muçës, zyrtarit të Policisë së Shtetit i cili drejtoi operacionin 'anti-Dajti'.

Pas refuzimit të kërkesës Dajti kërkoi ndërrim të gjykatësve, kërkesë kjo që u hodh poshtë nga trupa gjykuese. Dajti si rezultat braktisi sallën e gjyqit, ndërkohë që gjykata caktoi 2 avokatë të rinj për të. 

NGJARJA
Më 7 gusht 2009, skuadra speciale operacionale ndërhyri për t’i vënë prangat Dritan Dajtit, shumë i kërkuar nga policia, pasi në 2003-shin ishte arratisur nga ambientet e Gjykatës së Tiranës, teksa gjykohej për vrasje.

Mes të shumëkërkuarit dhe policisë pati shkëmbim zjarri e për pasojë gjetën vdekjen katër oficerë: Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj e Altin Dizdari. I vrarë mbeti dhe Ledion Mara, që ndodhej në një makinë me të kërkuarin Dajti, ndërsa ky i fundit u plagos. 

Dritan Dajti u vu në pranga dhe pak muaj më vonë prokuroria dërgoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen penale ndaj tij. Edhe pse kanë kaluar katër vite prej ditës kur ndodhi masakra e Durrësit, ende gjykata nuk ka dhënë një vendim për të pandehurin Dritan Dajti.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›