Dajti-Xhoxhi, komunikim me 5 oficerë
TIRANË - Këqyrja e aparateve celularë dhe SIM-kartave të sekuestruara në vendin e ngjarjes, që përdoreshin nga Dritan Dajti dhe kunati i tij Ergest Xhoxhi, nëse do ketë hetim serioz dhe ndëshkime reale, mund të nxjerrin përgjegjësi të rënda në piramidën e shtetit.
Nga këqyrja ka rezultuar se ata komunikonin vazhdimisht me pesë efektivë të uniformave blu me grada të ndryshme.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme të cilët saktësuan se i arrestuari Dajti, që kreu vrasjen e katër agjentëve të policisë, dhe kunati i tij Xhoxhi komunikonin vazhdimisht në telefon me këta pesë efektivë policie.
Madje, kanë qenë aq të sigurtë në paprekshmërinë e tyre sa disa nga bisedat janë bërë në numra telefoni të dhënë nga Ministria e Brendshme, pra që kanë dyshifrorin 41.
"Nga këqyrja e aparateve telefonike dhe SIM-kartave të sekuestruara pas arrestimit të shtetasit Dritan Dajti dhe Ergest Xhoxhi, janë gjetur pese numra oficerësh të policisë, të cilët kanë në përdorim nr. me 41 që kanë komunikuar me dy të arrestuarit, - thanë burimet.
Nga këqyrja e celularëve del se ata komunikonin vazhdimisht, sidomos njëri prej tyre. Ky ka komunikuar me kunatin e Dajtit në telefon edhe vetëm dy orë para se të ndodhte masakra si dhe një natë para këtij operacioni.
Edhe zyrtarë të Policisë së Shtetit e kanë konfirmuar këtë, duke shtuar se institucioni i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB-ja) ka filluar hetimet për të sqaruar pozicionet e oficerëve në fjalë dhe marrëdhëniet me të shumëkërkuarin Dritan Dajti.
Një oficer policie me të cilin kishte komunikim të vazhdueshëm Ergest Xhorxhi i përket policisë së Durrësit.
Është konstatuar se oficeri (i identifikuar nga prokuroria) gjatë komunikimit disa minutash me Xhoxhin një natë para masakrës, përveç të tjerave, i ka kërkuar madje këtij të fundit të mos e merrte më tek numri i punës me 41 por tek "numri tjetër".
"Edhe rreth dy orë para arrestimit të Dajtit dhe kunatit të tij Xhoxhi ka qenë ky oficer që ka pasur një bisedë të shkurtër me kunatin e të shumëkërkuarit",- thanë burimet.
Thuajse të gjithë personat, efektivë të policisë që i ka dalë emri deri më tani nga këqyrja e aparateve celulare të Dajtit dhe Xhoxhit janë marrë në pyetje, ndërsa priten zbardhjet e tjera të tabulateve telefonike për të zgjidhur enigmën nëse ka patur dekonspirim të operacionit të policisë për arrestimin e të dënuarit me 25 vjet burg për vrasje dhe arratisje.
Gjatë ditës së djeshme, hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe vetë dy prokurorët e çështjes Ardian Nezha e Eugen Beçi, kanë marrë në pyetje disa nga agjentët e policisë që kanë marrë pjesë në aksionin e arrestimit të Dajtit dhe që i kanë shpëtuar plumbave të tij.
Gjithashtu, janë pyetur edhe disa efektivë të policisë së Durrësit të cilët menjëherë pas fillimit të krismave të armëve mes agjentëve të policisë dhe Dajtit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, poshtë një pallati gjashtë katesh në afërsi të rrugës që të dërgon tek pista "Iliria" në qytetin bregdetar të Durrësit.