Pasaporta e shërbimit, qeveria rrit numrin e përfituesve
TIRANË - Avokati i Shtetit është një tjetër funksionar i lartë, që i është shtuar listës së gjatë të përfituesve, për pasaportë diplomatike. Këshilli i Ministrave ka vendosur dje që të përfshijë edhe këtë zyrtar në listën, që shtohet herë pas here nga qeveria. Të drejtën për të mbajtur një pasaportë diplomatike e kanë prej vitesh funksionarët e lartë të shtetit dhe politikës si: Presidenti i Republikës, kryetari dhe zëvendëskryetari i Kuvendit, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe anëtarët e qeverisë, deputetët, sekretari i përgjithshëm i Presidencës, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave etj. Pasaportat diplomatike dhe të shërbimit lëshohen vetëm nga Ministria e Punëve të Jashtme. Në vendimin e djeshëm, qeveria ka vendosur të përfshijë në listën e përfituesve, kësaj here, me pasaportë shërbimi, edhe dy kategori të tjera. I pari që përfshihet në listën e përfituesve për pasaportë shërbimi është kryetari i zyrës vendore në Avokaturën e Shtetit, që vetëm Kryeministri duhet ta dijë se pse i nevojitet një pasaportë shërbimi edhe këtij zyrtari, si dhe juristi pranë zyrës së përfaqësimit në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe në arbitrazhin ndërkombëtar. Në listën e personave përfitues me pasaportë shërbimi janë të përfshira kategori funksionarësh si, zëvendësministrat, drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, prefektët dhe sekretarët e përgjithshëm të prefekturave etj. Afati i vlefshmërisë së pasaportave diplomatike dhe të shërbimit duhet të jetë deri në 5 vjet. Ai mund të zgjatet 2 herë të tjera për periudha deri në 2 vjet. Si rregull, pas përfundimit të shërbimit, pasaportat e shërbimit apo edhe ato diplomatike, duhet të depozitohen pranë drejtorive të personelit të ministrive dhe institucioneve. Në rast se mbajtësi i pasaportës diplomatike apo të shërbimit shkarkohet nga detyra, largohet nga puna apo emërohet në një detyrë tjetër, ai është i detyruar të dorëzojë pasaportën diplomatike ose të shërbimit. Në rast të mosdorëzimit të pasaportës diplomatike ose të shërbimit, Drejtoria Juridike e Konsullore e Ministrisë së Punëve të Jashtme, njofton të gjitha përfaqësitë e huaja të akredituara në Tiranë për pavlefshmërinë e pasaportës së padorëzuar, po ashtu edhe Ministrinë e Brendshme. Megjithatë, deri më tani, me shkarkimet e disa ministrave apo largimet nga puna të disa funksionarëve, nuk dihet nëse është zbatuar pikërisht procedura sa më sipër. E vetmja gjë që dihet është se qeveria, herë pas here shton numrin e personave përfitues për pasaporta diplomatike dhe ato të shërbimit, të pabazuar në një argument të qartë dhe të domosdoshëm për pajisjen e një zyrtari të caktuar më një nga pasaportat përkatëse.