Dajti, numra zyrtarësh në celularë
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, në këqyrjen e aparateve telefonikë të sekuestruar në çantën e Dritan Dajtit dhe në xhepat e kunatit të tij Ergest Xhoxhi, ka gjetur dhe evidentuar emra dhe numra që do të hedhin dritë mbi lidhjet e vrasësit me njerëz në polici.
Gjashtë nga 10 aparatet celularë të sekuestruar në çantën e Dajtit (janë 10 aparate dhe 15 karta SIM) dhe dy aparatet celular të shtetasit Ergest Xhoxhi, i janë nënshtruar këqyrjes së kujdesshme.
Aty janë evidentuar numra personash të cilët janë pjesë e strukturave të Rendit dhe në ditët në vijim, kur të mbërrijnë edhe tabulatet e bisedave telefonike, kjo do jetë një pikë shumë delikate e hetimit.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë ngritur dyshime se bëhet fjalë për të njëjtët individë që mund ta kenë ndihmuar Dajtin në jetën e tij prej të arratisuri e ndoshta edhe në arratisjen nga gjykata në 2003.
"Nga këqyrja e 6 aparateve celularë dhe disa nga 15 SIM kartat e sekuestruara në çantën e Dritan Dajtit, janë gjetur numra të ndryshëm të shumë personave. Ku disa prej tyre po verifikohen se kush i kishte në përdorim.
Gjithashtu, janë konstatuar edhe disa numra të policisë së Tiranës dhe Durrësit, konkretisht të disa inspektorëve të zonave",- thanë burimet e rezervuara pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Katër nga 10 aparatet celularë të Dritan Dajtit nuk i janë nënshtruar këqyrjes pasi i janë thyer ekranet dhe kanë kode që nuk mund të hapen pa ndihmën e kompanive përkatëse.
Ndërkaq, edhe në dy aparatet celularë të Ergest Xhoxhit, mësohet se prokuroria ka gjetur numra të personave që janë punonjës të Policisë së Shtetit.
Gjithcka është ende në fazën e verifikimit, e ndërkohë i është kërkuar kompanive përkatëse zbardhja e tabulateve telefonike të disa numrave.
Numrat që janë gjetur në çantën e Dritan Dajtit, janë të ndryshëm, nga ata të kompanive greke, italiane, malazeze, maqedonase, kosovare dhe tre kompanive shqiptare.
Po zbardhen edhe mesazhet elektronike (sms) që ndodheshin brenda tyre, madje për disa SMS është dashur përkthyes sepse ato janë në gjuhë italiane dhe greke.
Disa nga këto numra, si shqiptarë dhe ata të huaj, sipas akuzës, ishin me parapagim dhe punonin roming.
Pritet që gjatë ditëve në vazhdim, prokuroria të zbardhë me ndihmën e tabulateve telefonike edhe bashkëpunëtorët të cilët e kanë ndihmuar të arratiset apo fshihet, pa përjashtuar këtu identifikimin e një personi të katërt që është gjendur në masakrën e Durrësit, i cili ka mundur t'i ikë policisë në momentin e shkëmbimit të zjarrit mes agjentëve dhe Dajtit.
Çela raporton tek kryeprokurorja Rama për ngjarjen dhe hetimin
TIRANË- Dje është kthyer nga pushimet verore kryeprokurorja Ina Rama dhe i ka kërkuar drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, prokuror Olsian Çelës, ta informojë për ngjarjen dhe hetimin e deri tanishëm të vrasjes së katër agjentëve të policisë në Durrës.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët shtuan se gjatë mesditës së djeshme, prokurori Olsian Çela, vartësit e të cilit po hetojnë për zbardhjen e ngjarjes së Durrësit, bashkë me njërin nga zv\drejtuesit e tij ka raportuar për tre orë para kryeprokurores Rama se çfarë është bërë deri tani me hetimet.
Rama i ka kërkuar Çelës të gjitha detajet e ngjarjes së rëndë të ndodhur në qytetin e saj të lindjes si dhe për të gjitha veprimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që nga dita e ngjarjes.
Rama ka shprehur mbështetjen e saj ndaj institucionit që po heton çështjen, duke kërkuar vecanërisht fokusim tek përgjegjësitë e strukturave drejtuese të Rendit në aksionin për arrestimin e super të kërkuarit nga njësia e sektorit të operacioneve speciale pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Kush është prokurori Eugen BEÇI
TIRANË - Eugen Beçi, i datëlindjes 1972, nga Librazhdi, me banim në Tiranë, është njëri prej dy prokurorëve të Krimeve të Rënda që po heton çështjen e vrasjes së katër agjentëve të policisë, prej vitit 1999 mban detyrën e prokurorit.
Fillimisht, për dy vite e 6 muaj ka punuar pranë prokurorisë së rrethit Shkodër dhe më pas është emëruar prokuror në Prokurorinë e Rrethit Vlorë, ku ka punuar deri në fillimin e punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në 2004-ën. Në fillim të janarit 2004 është emëruar prokuror pranë kësaj prokurorie dhe gjatë punës së tij 10-vjeçare si prokuror, është përballur me çështje të ndryshme penale. Ndër më të rëndësishmet dhe që kanë shkaktuar bujë në opinionin publik, kanë qenë:
- Hetimi dhe përfaqësimi i akuzës në gjykatë për çështjen e rrëmbimit të djalit të biznesmenit vlonjat, Sulo Shehu;
- Kontrabandën e cigareve të Durrësit, ku u arrestuan dhe u dënuan rreth 15 të pandehur, mes tyre ish-vëllai i kryebashkiakut të Durrësit, tashmë deputetit Lefter Koka, Leonardi;
- Çështjen e vrasjes së Fatmir Ramës, apo i njohur si "Miri i Xhikës", pronarit të kompleksit sportiv "Kartodromi", të pandehurin Lavdërim Tufa;
- Ka hetuar dhe përfaqësuar gjithashtu akuzën në gjyq ndaj të pandehurit që qëlloi me pistoletë gjyqtaren e Fierit brenda ambienteve të gjykatës;
- Dosjen e "bandës" së Gazmend Brrakës apo të njohur si "Gaxhai i Vlorës" (katër prej tyre kanë marrë dënimin me "burgim të përjetshëm");
- Bashkë me prokurorin Ardian Nezha kanë hetuar dhe përfaqësuar akuzën në gjyq për rrëmbimin dhe vrasjen e mjekut nga Hasi Behar Kastrati, e shumë dosje të tjera.
Kush është prokurori Ardian NEZHA
TIRANË - Ardian Nezha, i datëlindjes 1972, nga Rrësheni, por me banim në Tiranë, është prokurori i dytë që po heton dosjen e vrasjes së katër agjentëve të policisë nga dora e të arrestuarit Dritan Dajti. Prokurori Nezha, që në fillim të vitit 1995 punon me detyrën e prokurorit, ku fillimisht, për tre vite ka qenë prokuror i thjeshtë në Dibër dhe më pas për tre vite të tjera, në Mirditë (Rreshen), është emëruar drejtues i kësaj prokurorie, detyrë të cilën e ka ushtruar për tre vite të tjera.
Me ngritjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, prokuror Nezha është emëruar në këtë prokurori, ku vazhdon punën prej pesë vitesh tashmë. Gjatë punës 14-vjeçare si prokuror, Ardian Nezha ka proceduar e përfaqësuar akuzën në gjykatë në shumë procese të rëndësishme penale, mes tyre:
- Të dënuarin tashmë me burgim të përjetshëm për vrasjen e shefit të krimeve në Pukë, shtetasin Marin Molla;
- Vrasjen e policit në Rrëshen bashkë me djalin e tij, ku janë dënuar tre autorët;
- Vjedhjen e Bankës Amerikane në Tiranë, ku u dënuan dy persona;
- Ka hetuar i komanduar në Prokurorinë e Elbasanit çështjen e vrasjes së basketbollistëve të Korçës, ku janë dënuar tre veta;
- Ka hetuar dhe dorëzuar në gjykatë dosjen e shtetasit Afrim Hasani, që vrau dy policët e Kukësit vetëm pak muaj më parë në fshatin Shëmri;
- Si dhe bashkë me prokurorin Eugen Beçi, kanë hetuar e gjykuar tre të dënuarit tashmë të rrëmbimit dhe vrasjes së mjekut të Hasit, Behar Kastrati, e shumë dosje të tjera.
Kush është gjyqtarja Maresela BALILI
TIRANË - Marsela Balili, e lindur në Vlorë, por me banim në Tiranë, është gjyqtare e dalë nga dyert e Shkollës së Magjistraturës që nga viti 1999 dhe me mbarimin e shkollës është emëruar gjyqtare.
Fillimisht, për pesë vite ka punuar pranë Gjykatës së Rrethit Vlorë, ku njihet për vendimin e dënimit të disa shtetasve nga Himara për thirrje e urrejtje nacionale. Më pas, që nga ngritja e Gjykatës së Krimeve të Rënda është emëruar gjyqtare pranë kësaj gjykate.
Për 5 vitet e punës së saj si gjyqtare pranë kësaj gjykate, është përballur me procese të rëndësishme penale, si kryesuese dhe si anëtare e pesëshes gjykuese. Ndër dosjet më të bujshme që ajo ka qenë kryesuese janë:
- Ajo e grupit të Nikolin Cakos, të njohur ndryshe si grupi i "Go Ëest"-it, që falsifikonin pasaporta dhe viza të 24 shteteve të botës;
- Vijon procesin gjyqësor të dosjes së dytë të pandehurve, të cilësuar si anëtarë të "bandës" së Lushnjës.
Ende konfuzion me mbrojtjen e Dajtit
Lidhur me avokatin që do mbrojë Dritan Dajtin në gjyq, ka një konfuzion në rritje. Avokati që e ka mbrojtur në proceset e mëparshme gjyqësore, thotë se nuk ka marrë njoftim as nga gjykata as nga klienti, dhe se ndodhet aktualisht me pushime.
Disa avokatë të kërkuar këto ditë nga të afërm të të akuzuarit, kanë refuzuar të marrin çështjen. Ndërkohë avokati i caktuar "kryesisht" nga Gjykata, i cili ka marrë pjesë në seancën e dhënies së masës së arrestit, me sa duket ende nuk është konsultuar me të akuzuarin.
Gjatë ditës së dhënies së masës së arrestit, ka patur kontradikta mes thënieve të tij dhe atyre që prokuroria dhe gjykata konfirmuan se ka thënë Dajti në sallën e gjyqit.
Sipas avokatit, Dajti tha në sallë se policët donin ta vrisnin. Sipas prokurorëve, një deklarim i tillë në sallë nga Dajti nuk është bërë. Ai ka pretenduar se kishte 150 mijë euro me vete dhe se reagoi për tu mbrojtur nga ata që iu dukën si grabitës.
Dy versionet në fakt përjashtojnë njëra tjetrën. Sepse nëse Dajti e ka ditur se janë policë dhe kanë dashur ta vrasin, nuk ka se si të deklarojë se i kujtoi për grabitës dhe nuk e dinte se ishin policë.
Madje Dajti, në deklaratat para gjykatëses Balili ka thënë se ishte ai që i kërkoi policit që i vuri prangat që "mos ta godiste por ta vriste më mirë" dhe se (sipas Dajtit) ai i është përgjigjur "ti duhet të vuash".
Këto kontradikta në deklarime mes avokatit dhe deklarimeve në sallë të të pandehurit, pritet të sqarohen në seancat e ardhshme gjyqësore,
Nishani e Prençi, ngushëllime nga trupi diplomatik
Kreu i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi dhe Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, kanë marrë mesazhe ngushëllimi nga përfaqësues të ndryshëm të trupit diplomatik në vendin tonë si dhe nga përfaqësues të organizatave të huaja të akredituara. Ambasadori i SHBA-së, XHon Uidhers, thotë në mesazhin e tij, për Nishanin dhe Prençin.
"Me ndjenjën e një humbjeje të tmerrshme mësuam për vdekjen në krye të detyrës të Oficerëve Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj, dhe Altin Dizdari.
Vdekja e këtyre katër Oficerëve të përkushtuar të Policisë dëshmon rëndësinë e madhë të punës së tyre dhe na sjell në kujtesë çmimin e tmerrshëm që kërkon zbatimi i kësaj detyre. Kolegët e mi dhe Unë ju shprehim ngushëllimet tona të sinqerta dhe të zemrës për ju dhe për të gjithë anëtarët e përkushtuar të Policisë së Shtetit.
Ne ju përcjellim simpatinë tonë të thellë për familjet e tyre për humbjen e tyre". Ndërkaq mesazh............................................................. urimi ka dërguar Ambasadori I OSBE-së, Robetrt Bosh, Sekretari i Interpolit, Robert Noble, Drejtoresha e Interforce, Ana Poxhi, si dhe ambasadori I Zvicrës, Xhon Ruhof ( John Ruhoff), e përfaqësues të tjerë.