Studimet në Itali, kalendari i provimeve për fituesit
Studentët shqiptarë, të cilët do të pajisen me vizë hyrëse në Itali, për të vazhduar studimet universitare në vendi fqinj, nuk do të kenë shumë kohë për t'u akomoduar, pasi vetëm një javë pasi të kenë shkelur në tokën përtej detit, do të duhet të japin provimin e gjuhës. Ministria e Universiteteve në Itali ka bërë publik kalendarin e provimeve të pranimit për kurset e specialitetit, si edhe datën kur studentët do të testohen në njohuritë e gjuhës italiane. Kështu, më datë 1 shtator 2009, studentët që fituan të drejtën e studimit në universitetet italiane, do të ulen në banka për të dhënë provimin e gjuhës italiane që do të jetë me shkrim dhe me gojë. Provimi mendohet të jetë një etapë e lehtë, më se e kalueshme për studentët. Vetëm pak ditë më pas, radhën për t'iu nënshtruar testimit do ta kenë studentët që kanë zgjedhur degë të specialitetit, kryesisht mjekësi dhe inxhinieri. Më datë 3 shtator, të parët që do të testohen do të jenë studentët që kanë zgjedhur Mjekësi dhe Kirurgji. Ata do të testohen në njohuritë që kanë përvetësuar gjatë arsimit të mesëm në lëndën e Biologjisë dhe Kimisë. Një ditë më pas, më datë 4 shtator, në auditorët e pranimit do të ulen për të kaluar provën e pranimit studentët që kanë zgjedhur të ndjekin studimet në specialitetin Odontoiatri dhe Proteza Dentare. Provimet e pranimit do të ndiqen më tej me specialitete të tjera po në fushën e mjekësisë. Më datë 7 shtator, provimit të pranimit, do t'i nënshtrohen studentët që kanë zgjedhur si specialitet degën e Mjekësisë Veterinare. Edhe në këtë provim pranimi, studentët do të testohen në lëndët bazë shkollore që lidhen me specialitetin, Kimi, Biologji dhe Fizikë, ku provimi do të jetë me shkrim. Më 8 shtator radha për të treguar njohuritë që disponojnë, do t'u takojë studentëve që kanë zgjedhur arkitekturën si degë studimi universitare. Testimi në këtë degë do të përmbajë vizatim teknik, si edhe testim në njohuritë e fituara në lëndë si Matematika dhe Fizika. Testimet për provimet e pranimit në degët e specialitetit në universitetet italiane do të vazhdojnë më datë 9 shtator. Në këtë datë, në testim do të jenë studentët që kanë zgjedhur specialitet profesionet e shëndetësisë. Të fundit që do t'u nënshtrohen provimeve të pranimit do të jenë studentët që kanë zgjedhur si degë shkencat e formimit bazë. Testimi për studentët që kanë zgjedhur një specialitetet të tillë për të vazhduar studimet e ciklit të parë universitar, do të mbahet më datë 10 shtator, çka do të përmbyllë edhe fazën e pranimeve.
Studentët që do t'u kthehen dokumentet deri më 21 gusht, do të marrin direkt vizën e studimeve deri më 31 janar 2010
Viza për studime, lëshimi më 24 gusht
Lëshimi i vizës nga konsullatat italiane për studentët shqiptarë, që kanë fituar të drejtën për të vazhduar studimet në universitetet italiane, do të bëhet duke filluar nga data 24 gusht. Ky është njoftimi që vjen nga Ministria e Universiteteve në Itali, e cila ka përcaktuar edhe kalendarin e veprimeve që do të ndiqen më tej për pranimet në universitete. Këtë vit, të drejtën paraprake për të vazhduar studimet në Itali e kanë fituar 528 maturantë shqiptarë. Përgjigjen përfundimtare, nëse janë përzgjedhur ose jo, studentët do ta marrin nga data 18 deri më 21 gusht, kohë kur do t'u kthehen pas pasaportat, të cilat i kanë dorëzuar së bashku me dokumentet e tjerë, në një kohë të mëparshme në konsullatën përkatëse italiane. Në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim në universitetet italiane do të jenë
të vlefshme nga data 24 gusht 2009 deri më 31 janar 2010. Studentët shqiptarë, ashtu sikurse edhe studentët e huaj që vazhdojnë studimet në universitetet italiane, por që nuk i përkasin vendeve të vendeve të Bashkimit Europian, mund të përfitojnë, sikurse dhe studentët italianë, nga shërbimet për të drejtat e studimit, si bursa studimi, përjashtim i plotë apo i pjesshëm nga taksat dhe tarifat universitare etj. Ambasada Italiane kujton se pasi të kenë mbërritur në Itali, studentët mund të paraqesin dokumentet e legalizuara pranë zyrave kompetente të Universiteteve italiane, në të cilat janë regjistruar, për të mundësuar kështu përfitimin e shërbimeve për të drejtat e studimit