Dajti, për t'i shpëtuar përgjimit, përdorte 10 nr. të ndryshëm
CELULARËT
TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda, menjëherë pas mbledhjes dhe administrimit të provave materiale, ka evidentuar e sekuestruar në çantën e të dënuarit me 25 vjet burg, Dritan Dajti, 10 aparate telefonike dhe mbi 15 SIM karta me numra të ndryshëm.
Tek SIM-kartat, përveç atyre të tre kompanive shqiptare, kishte edhe numra të dy kompanive të shtetit grek, atij italian, malazez, maqedonas dhe kosovar, të gjithë me linjë ndërkombëtare.
Nga këqyrja e aparateve celularë, që të gjithë figuronin të cilësisë së mirë dhe të shtrenjtë (tre aparateve, pas rrëzimit të Dajtit, u janë thyer ekranet).
Ka rezultuar se i shumëkërkuari kishte rast që një numër e përdorte vetëm për të biseduar me një person.
"Nuk përjashtohet mundësia, që në aparatet e celularëve të ketë të regjistruar edhe emra të rëndësishëm, numra këto që do të verifikohen," - thanë burimet, duke shtuar se u është kërkuar të gjitha kompanive celulare në vend t'i zbardhin tablatet telefonike dhe verifikimin e pronarëve të këtyre numrave.
Pritet që gjatë javës në vazhdim, prokuroria të zbardhë nga këqyrja e telefonave edhe mesazhet elektronike të dërguara dhe ardhura në numrat e telefonit që kishte në çantë i dënuari me 25 vjet burg dhe të gjitha bisedat e kryera gjatë muajve të fundit. F.Vezaj
----------------------------------------------------------
Masa e sigurisë së Dajtit do kryhet në Spitalin Ushtarak
Masa e sigurisë për Dritan Dajtin do të jepet në Spitalin e Burgut dhe jo në gjykatë. Lajmi është bërë i ditur mbrëmë vonë. Sipas burimeve, sot në orën 9 paradite, në Gjykatën e Tiranës do sillet për masë arresti vetëm i arrestuari Ergest Xhoxhi. Kurse masa e arrestit për Dajtin do jepet me një procedurë tjetër, që kushtëzohet, me sa duket, nga gjendja shëndetësore e Dajtit.
Sot, në orën 10, në Spitalin e Burgut do shkojnë dy prokurorët e çështjes, gjykatësja Marsela Balili dhe një sekretare gjyqësore.
Dy prokurorët e çështjes, Ardian Nezha dhe Eugen Beçi do lexojnë akuzën dhe do kërkojnë arrestin burg pa afat për Dajtin në dhomën e tij në Spitalin e Burgut dhe vendimi do jepet po aty.
Të dhëna të reja mbërrijnë ndërkohë për mbrojtjen e Dajtit dhe Xhoxhit. Avokati Alban Bengasi do mbrojë me sa duket vetëm Xhoxhin, kurse Dajti do mbrohet nga zyra ligjore e avokatit Ardian Leka dhe Ardian Kasapi.
Janë të njëjtët që kanë mbrojtur Dajtin në dy çështjet e tjera penale, ku është dënuar me 20 vjet burg për vrasjen dhe 9 vite burg për "arratisjen", që në bashkim dënimesh, në total është dënuar me 25 vjet heqje lirie. Ndërsa avokati Alban Bengasi, është kërkuar nga vetë i arrestuari Xhoxhi.
Ndaj të arrestuarit Dritan Dajti rëndon akuza e "vrasjes në rrethana cilësuese" të dy apo më shumë personave ndaj katër agjentëve të policisë; "vrasjen pa dashje" të Ledion Mares; "vrasjes në rrethana cilësuese" të mbetur në tentativë, si dhe "armëmbajtje pa leje" në bashkëpunim.
Ndërsa ndaj të arrestuarit Ergest Xhoxhi rëndojnë të gjithë akuzat e mësipërme, por në pozicionin e bashkëpunëtorit dhe jo ekzekutorit.