E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dako lëshon, miratohet buxheti i Durrësit

Të djathtët japin votat në Këshillin Bashkiak pas pranimit të vërejtjeve të tyre

është miratuar pas pranimit të ndryshimeve buxheti i Bashkisë së Durrësit për vitin 2010. Më pak para për shpenzimet operacionale, subvencionimin e transportit publik urban dhe zërit turizëm për të kaluar në funksion të arsimit parauniversitar dhe infrastrukturës rrugore dhe konkretisht rrugës së ish-frigoriferit në plazhin e Durrësit. Një tjetër vërejtje e rëndësishme për këtë buxhet dhe që u mor parasysh nga administrata bashkiake ishte prishja e kateve pa leje të pallatit 22-katësh në hyrje të portit detar, që u shndërrua në objekt përplasjeje mes kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako dhe ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi. Kreu i këshilltarëve demokratë në bashki, Seid Kërtusha, kërkoi të gjenden paratë e miratuara për prishjen dhe përfshirjen në buxhet për të mos lënë në harresë vendimet që merren, si dhe kërkoi shtimin e ndërhyrjeve me investime në arsim. Akuza për kryebashkiakët paraardhës të Durrësit, që e lanë qytetin pa tokë të mjaftueshme për ngritjen e një shkolle. Ndërsa qyteti rrit çdo vit popullatën e vet, duke numëruar sot 205 mijë banorë, ai ka mbetur me të njëjtin numër shkollash dhe pamundësi për gjetjen e sipërfaqeve për ndërtime të reja në infrastrukturën arsimore, aq të nevojshme veçanërisht në periferitë e Durrësit, plazh dhe lagjen 1, ku shkolla e re nëntëvjeçare u përdor si godinë akademike për universitetin e ri. Ndonëse është cilësuar nga të djathtët një buxhet elektoral që ndërmerr shumë punime me pak para, këshilltarët e djathtë, që përbëjnë shumicën në Këshillin Bashkiak të Durrësit, kanë pranuar se projektbuxheti i këtij viti ka qenë më i miri. Në vlerën e 2.3 miliardë lekëve ose 17 milionë eurove, ai konsiderohet ndër buxhetet më të larta. Buxheti ka një rritje në masën 67 për qind krahasuar me vitin 2007, por ndër vite investimet kanë mbetur të parealizuara në masën 40 për qind dhe ky fakt është konsideruar si problematik nga shumë këshilltarë të djathtë. Në emër të tyre, Kërtusha kërkoi dhe transparencë për investimet e bëra në rrugë, duke përfshirë edhe normën e amortizimit, ndërsa kërkoi një shpërndarje të mirë të investimeve bazuar mbi vjeljen e taksave. Lidhur me problemin e krijuar nga bllokimi i veprimtarisë së KRRT-së, për shkak të kundërshtive të portit të peshkimit dhe ndikimin te sektori i ndërtimit, Kërtusha tha se janë gati të negociojnë për t’i çelur rrugë këtij sektori, si dhe individëve që duan të bëjnë ndryshime në objektet a pronat e tyre. Privatizimi i shërbimeve qe një tjetër pikë që iu sugjerua Dakos, përfshirë dhe nxitimin për të hartuar studimin lidhur me ndërhyrjet në zonën kodrinore të qytetit, ku 274 objekte rrezikohen nga rrëshqitjet.

Fondi i harruar

Kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë Seid Kërtusha ka kërkuar përfshirjen në buxhet të 13.1 milionë lekëve të reja që u miratuan në dhjetor të vitit të kaluar për prishjen e kateve pa leje të pallatit 22-katësh që ndodhet pranë hyrjes së Portit Detar në qytetin e Durrësit. Ndonëse u miratua në mënyrë unanime në mbledhjen e 15 dhjetorit, fondi për prishjen e kateve të sipërme të godinës që i përket kompanisë “Shala e Co”, ai nuk kishte gjetur pasqyrim në projektbuxhetin 2010 të bashkisë. Në mbledhjen e kaluar nuk u diskutua për arsyet e mospërfshirjes, po me kërkesën e Kërtushës në emër të këshilltarëve të djathtë u pranua nga kryebashkiaku Dako që ky fond me objekt të përcaktuar të zërë vend në buxhetin e 2010-s që u miratua natën e kaluar vetëm pas pranimit të ndryshimeve në të. Prishja që ka marrë 131 milionë lekë të vjetra rezulton e një shkalle të lartë vështirësie, pasi do të punohet në lartësi. Godina është funksionale deri në katin e 9 të saj, ndërsa poshtë pallatit ndodhet një pikë karburanti. Objekti ndodhet në një kryqëzim rrugësh me intensitet tepër të lartë lëvizjeje automjetesh dhe këmbësorësh.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›