E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Nuk do të ketë kurrë më lëshime ndaj Ramës

Kryeparlamentarja: Lideri i opozitës, si një shtëpiake e dëshpëruar

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, deklaroi se mazhoranca nuk do të pranojë kompromis me opozitën në kurriz të ligjit. Duke folur gjatë një interviste për “Shqip”, Topalli thekson se është opozita ajo që duhet të ndryshojë mënyrën e performancës, duke marrë pjesë në të gjitha punimet e Kuvendit e jo vetëm në seanca plenare. “Ky sistem është ai që e kemi pasur ëndërr dhe jemi aq afër Bashkimit Europian, aq afër liberalizimit, socialistëve nuk do t’ua falin kërcënimin që po i bëjnë këtij procesi”, theksoi Topalli. Kreu i legjislativit deklaron gjithashtu në intervistë se kjo mazhorancë do të vazhdojë me këtë axhendë dhe këtë formacion politik edhe në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale. Ndërkaq, kreu i Kryetarja e Kuvendit deklaron gjithashtu se nuk duhet shtyrë edhe më tej mbledhja e forumeve të Partisë Demokratike. Duke iu referuar liderit të opozitës, Topalli nuk e kursen ironinë, duke e cilësuar Ramën si një “shtëpiake e dëshpëruar”. “Sa më shumë lëshime i bëjmë, aq më shumë radikal bëhet ai”, theksoi ajo...

Zonja Topalli, si do të dilet nga ngërçi politik i krijuar në relacionet midis pozitës dhe opozitës?

Besoj fort se nuk është çështje e të dyja palëve. Natyrisht, mazhoranca mund të shikojë, ashtu siç ka parë për të bërë lëshime ndaj një opozite që është e frustruar nga humbja. Mendoj se zgjidhja është aq e thjeshtë dhe aq normale. Lidershipi i PS duhet të besojë në shpirt dhe në mendje se ka humbur. Duhet të shkëpusin veten nga dita që u ka dhënë humbjen edhe të pranojnë rregullat e demokracisë, që do të thotë të bësh detyrën e deputetëve që kanë marrë mandatin nga zgjedhësit socialistë dhe të jesh një alternativë ndaj qeverisë. Deri më sot opozita nuk po bën rolin e saj në Parlament, për të qenë e përfshirë në të gjitha dimensionet e parlamentarizmit dhe kryesorja është në punimet e komisioneve parlamentare, të diskutimeve të projektligjeve, pra në kontrollin parlamentar, ndaj qeverisë që ushtrohet përmes pyetjeve, mocioneve, përmes interpelancave etj. Seanca plenare është vendi ku çdo deputet i majtë dhe i djathtë komunikon me publikun, çfarë kam bërë, ku kam qenë, sa kam bërë progres, apo cilat janë defektet dhe është rasti më i mirë për çdo deputet, pavarësisht nga cila parti, për ta shfrytëzuar këtë tribunë në një farë mënyre edhe për fushatë elektorale, sepse ndoshta kjo i pëlqen më shumë kryetarit të opozitës...

Meqë dolëm te fushata elektorale. Ndërsa opozita po kërkon transparencën e zgjedhjeve të kaluara, ju po afishoni fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Mos vallë do të kemi përsëri një situatë të bllokimit të procesit zgjedhor të pritshëm?

Nëse më lejon, para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, ju përmendët fjalën transparencë. Fjala transparencë pas fjalës kuti është fjala më e lakuar gjatë këtyre 9 muajve. Dhe unë jam partizane e transparencës dhe në këtë aspekt, nëse vërtet do të donin transparencë, ata mund ta bënin nga komisioni hetimor. Por unë mendoj se detyra e opozitës është të ngujohet te fjala kuti. Në një farë mënyre, kjo është si për të qarë, ashtu edhe për të qeshur. Sepse detyra e opozitës, qoftë nga historia ime personale, por edhe nga historia politike e vendeve që kanë kaluar edhe në periudha tranzicioni, është që të jetë alternativë e qeverisë, por kutia nuk është alternativa e qeverisë. Mua më duket se lidershipi i PS-së po bën që kjo parti të rrëshqasë, ashtu siç kemi parë në Brazil që po rrëshqet dheu nga reshjet dhe nga ndërtimet kaotike. Ata janë gati në një fazë paralize politike të veprimit të opozitës. Ky vend ka shumë sfida dhe shumë mundësi me të cilat mund të gjejmë shtigje bashkëpunimi. është e pafalshme që opozita nuk bashkëpunon me mazhorancën për çështjet e liberalizimit të vizave. Ju më përmendët fjalën protestë, unë mendoj se bojkoti është kërcënim ndaj liberalizimit të vizave. Mendoj se protesta është kërcënim ndaj liberalizimit të vizave. Po ashtu, mospjesëmarrja e plotë në punimet e Parlamentit është kërcënim ndaj këtij procesi. Detyra e politikës nuk është të jetë një lojë për interesat e tyre, por është që të jenë shërbëtorë të qytetarëve, pavarësisht se deri në ç’shkallë mund t’i dalësh për zot...

Shumica, përmes zërit të Kryeministrit Berisha, hodhi idenë për reformën zgjedhore dhe natyrisht për modernizimin e procesit zgjedhor në të gjitha aspektet e tij. Mendoni se opozita do ta refuzojë, apo do të bashkëpunojë në kohën e duhur?

Po të ishte e sinqertë në atë që kërkon, që zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë më të mira, do të ishin ata që do ta propozonin. Në rastin më pak entuziast do të thoshin po, s’duam kutitë, fletët. Vetë fakti që ata as nuk e marrin në konsideratë, tregon se çdo gjë që kanë bërë deri tani ishte hipokrite dhe në funksion të një axhende personale. E pra, kjo është shumë e rëndë. Kjo ka dhe kosto për këtë parti. Për herë të parë kam filluar të mendoj seriozisht se sa e dëmshme është për një vend kur një parti politike nuk luan rolin e saj, që i takon, sidomos kur është në opozitë. Unë vetë kam jetuar 8 vjet në opozitë. Mund të them se opozita e sotme ka krejt kushte të tjera, qoftë për shkak të kohës, qoftë për faktin se Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm. Shqipëria është vend i NATO-s sot. Shqipëria vitin e kaluar ka shënuar data historike në proceset më të rëndësishme. Njëmijë herë pyes veten: Ky njeri flet për transparencën, kurrë nuk e kam dëgjuar të flasë për dixhitalizimin, që realisht është beteja kundër korrupsionit. Ky njeri flet për gjëra të çuditshme, por nuk flet kurrë dhe nuk ka përshëndetur asnjëherë as vendimin e 16 nëntorit të Këshillit të Ministrave të BE-së. Janë 27 vende, nuk është gjë e lehtë të bëjmë bashkë 27 vende. Kurrë s’ka folur një fjalë. Ky është shkreditim i një partie opozitare. Unë kam bindje se këtu ka diferenca brenda PS-së.

Pavarësisht nga ky konstatim, fakti që opozita në relacionet e deritanishme është në një pozicion kontestues dhe refuzues të procesit të deritanishëm zgjedhor, ndërkohë që ne kemi hyrë de fakto në një vit kalendarik zgjedhor dhe opozita mesa duket do të mbetet në këtë itinerar bojkotues. Si do të zgjidhet ky problem dhe aq më tepër reforma zgjedhore që e keni marrë përsipër si pozitë?

Lidershipi i PS-së është kontestues i sistemit demokratik që gurin bazë ka votën. Një parti që s’pranon zgjedhjet e lira, është një parti që nuk pranon sistemin. Ky është një shqetësim për vendin. Kjo kërkon zgjidhje brenda PS-së dhe kërkon tërheqje të vëmendjes së atyre që kërkojnë një Parti Socialiste europiane. Nëse do më pyesni mua për prirjet drejt Perëndimit, kontestimi i sistemit është shumë i rëndë, por shqiptarët nuk do ta pranojnë. Kur të vijë dita, do të japin edhe gjykimet e tyre.

Në seancën e djeshme plenare ju ndëshkuat dy deputetë të opozitës për fjalorin dhe termat e përdorur ndaj Kryeministrit. Mund të përdoret ky si argument nga opozita për ta quajtur këtë si ndëshkim të padrejtë nga autoriteti i shumicës brenda Parlamentit?

Parlamenti funksionon në bazë të ligjit dhe unë jam e detyruar të zbatoj ligjin për aq sa është e mundur. Mazhoranca ka adoptuar një qëndrim që të mos çojë në gjykatë deputetët kur ata bëjnë shpifje, gjë që është me Kushtetutë. Deputeti është i lirë të thotë çdo gjë, por ai nuk mund të shpifë, përndryshe mund t’i hiqet imuniteti. Meqenëse mazhoranca ka vendosur në mënyrë të heshtur të mos i çojë në gjykatë, rregullorja, përveç shpifjes, kërkon që seanca plenare të zhvillohet në bazë të një etike. Parlamenti është institucion serioz. Në ndeshjet e futbollit, kur kalohen limitet, paralajmërohen lojtarët me karton të verdhë dhe në rastin më të rëndë nxirret kartoni i kuq dhe kur shkohet përtej, përjashtohet skuadra. Unë kam një ëndërr për Parlamentin jo vetëm respektimin e etikës. Nëse biem në nivelin e ulët kemi fyer qytetarët. Unë u kam kërkuar mbështetje krerëve të grupeve parlamentare, që edhe ato të tërheqin vëmendjen e deputetëve.

Historia njëvjeçare e Parlamentit, duke mos qenë opozita, është padyshim trishtuese. A mendoni që në këtë periudhë shumica ka qenë e pakontrolluar nga kjo opozitë?

është trishtuese për opozitën që nuk ka qenë pjesë e reformave të mëdha. Gjatë kësaj periudhe, ne kemi kaluar të paktën 120 ligje dhe është një volum i madh pune. Ajo që shihet në seancë është vetëm finalja. Ne kemi plotësuar detyrimet e fundit për liberalizimin e vizave dhe përshtatjen e legjislacionit për çështjen e statusit të vendit kandidat. Parlamentit i ka munguar këndvështrimi opozitar dhe dimensioni i kontrollit.

Mungesa e kuorumit ka bërë të mundur që një pjesë e mirë e ligjeve të mos kalojnë. Si do të zgjidhet kjo çështje dhe a mund të flitet për bllokim të institucioneve nga ky shkak?

Asnjëherë. Në tavolinë kam vetëm një ligj që kërkon 84 vota. Opozita ishte në Parlament kur ky ligj ishte në rend të ditës dhe nuk e votoi. Siç ndodhi në gjashtëmujorin e fundit të legjislacionit të shkuar, kur ky ligj ishte në çdo seancë në rend dite dhe opozita nuk e votoi. Kjo tregon mungesë të madhe përgjegjësie, pasi duhet të shtypësh vetëm një buton për të ulur korrupsionin.

Si shpjegohet që nuk janë në rendin e ditës plotësimet e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, apo edhe institucione të tjera?

Në fakt, ligji i Avokatit të Popullit jep zgjidhje dhe nuk ka vend vakant aty. Për sa u përket vendeve të tjera, këto nuk kërkojnë shumicë të cilësuar. E mira është që të jetë opozita dhe t’i gjykojmë bashkë këto probleme, sepse janë institucione kyçe.

Zonja Topalli, jemi në kushtet kur gjithsesi mungesa e një dialogu konstruktiv mes pozitës dhe opozitës i shkakton një kosto qeverisjes së vendit. është kjo arsyeja që sot kemi kërkesa, pse jo edhe për ndryshime, në kabinetin qeveritar?

Nuk e kam dëgjuar asnjëherë.

Nga opozita...

është në natyrën e opozitës që t’i motivojë zgjedhësit për zgjidhje politike. Por fakti që vetëm në këto 9 muaj kemi shënuar datat më të rëndësishme nga komuniteti perëndimor për miratimin e proceseve integruese dhe ne vazhdojmë me rritje ekonomike, ne vazhdojmë me rritje të të ardhurave, të eksporteve, tregon se kjo qeveri ec përpara me reforma të rëndësishme. Detyra e opozitës është ekonomia dhe jo kutia. Detyra e opozitës është kontrolli parlamentar dhe jo bojkoti. Detyra e opozitës është alternativa dhe jo protesta, jo kontestimi i sistemit.

Përballë një kalendari të afishuar protestash nga opozita, ju do të mbeteni në këtë konsistencë. Pra ju mendoni se nuk do të ketë hallka që mund të zëvendësohen brenda panoramës së deritanishme të qeverisjes, qoftë dhe ndryshime në kabinet?

Absolutisht që jo. Nuk e shoh, por nëse ju me pyetje pretendoni që ne të bëjmë kompromis ndaj sistemit, ju them kurrë.

Edhe nëse kjo shkakton kosto?

Shiko, ky sistem është ai që e kemi pasur ëndërr dhe jemi aq afër Bashkimit Europian, aq afër liberalizimit, sa socialistëve nuk do t’ua falim kërcënimin që po i bëjnë këtij procesi.

Zonja Topalli, duket se pozita dhe opozita në kushtet e sotme janë duke kaluar nga një refuzim politik, në një konflikt politik. Këtu kam parasysh situatën e krijuar në raport me sheshin kryesor të Tiranës. Si do të kapërcehet kjo dhe a ekziston rreziku të kemi një përplasje institucionale për sheshin dhe mandej pse jo dhe një konflikt politik?

Jua thashë në fillim, po t’i shihni që ditën e parë që zoti Rama ka hyrë në politik, nuk e përmend fjalën ligj, ligjshmëri, shtet ligjor. Sistemi politik funksionon përveç votës së lirë- për të cilën jam krenare që ia arritëm për herë të parë më 28 qershor -edhe me ligj. Kjo s’ka lidhje me qeverinë e Parlamentin. Unë nuk jam as arkitekte e as inxhiniere dhe nuk jam si ata që flasin për çdo gjë. Por një gjë e kam të qartë: Nëse ka shkelje të ligjit, nuk do të pranohet. Nëse për qytetet e tjera çdo plan shkon në KKRRTRSH, si ka mundësi që sheshi i Tiranës të mos e respektojë ligjin?

Nëse rrëshqasim në konflikt, cili do të jetë qëndrimi i shumicës për kapërcimin e tij?

Sistemi e jep një zgjidhje, nuk e ka dhënë as qeveria, apo partitë. Unë personalisht jam edukuar në respektin ndaj ligjit. Lideri i një partie duhet të jetë i pari ta respektojë atë, kështu që si në rastin e parë që vota duhet respektuar, edhe në rastin e dytë ligji duhet respektuar.

Ju jeni ndër kryeparlamentaret që shpesh investoni diplomaci parlamentare. Kjo është thjesht në funksion të nevojave që ka vendi, apo është edhe në kuadër të investimit të profilit tuaj politik?

Kam dëgjuar komente të ndryshme dhe kjo është natyrale, meqë është fenomen i ri, meqë në jetën parlamentare ky është një fenomen i ri. Në fakt, diplomacia parlamentare nuk është një dimension i ri vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera që e adaptojnë në mënyrë dinamike. Po të më pyesësh mua, nëse jam e kënaqur me diplomacinë parlamentare, unë do të thosha jo. Do të kisha bërë edhe më shumë. Diplomacia parlamentare, përveç kontaktit, të jep mundësinë të flasësh më lirshëm, që Kryeministria dhe Ministria e Jashtme nuk mund ta kenë këtë komoditet. Të bësh lobing për vendin tënd, është e rëndësishme, pasi ne jemi vend i vogël dhe kemi edhe vende që punojnë kundër nesh. Në këtë lobing mund të involvohen dhe ish-kryeparlamentarët dhe ish-kryeministrat apo ish-presidentët. Ne kemi qenë të vonuar dhe duhet ta rrisim edhe më fort këtë dimension që është komplementar me diplomacinë zyrtare.

Keni ndjerë në ndonjë moment ndonjë lloj eklipsimi me diplomacinë zyrtare?

Jo, diplomacia i takon shtetit, e udhëheq Kryeministri dhe ministri i Jashtëm, ndërsa diplomacia parlamentare e mbështet këtë proces.

Të kalojmë në përgatitjet e PD-së për zgjedhjet vendore. Pse është vonuar respektimi i kalendarit të zgjedhjes së forumeve të PD-së? A ju ka shqetësuar ky problem?

Nuk ka qenë shqetësim, por mendoj se është koha për të mos e shtyrë më përtej. Kanë qenë arsye objektive dhe subjektive që nuk vareshin nga ne, duke filluar nga përmbytjet, pastaj nga angazhimi i komunitetit ndërkombëtar për t’i thënë stop bojkotit. Natyrisht ka dhe arsye të tjera, për shkak të angazhimeve brenda apo jashtë të atyre që janë kryesorë në PD, por mendoj se s’duhet të shtyhet më. Natyrisht ka një ndryshim midis një partie kur është në opozitë dhe në pushtet. Kur je në opozitë, nuk të falet, pasi ke mundësitë, ndërsa kur je në pushtet drejton institucionet kryesore.

Të qenit në pushtet në mandatin e dytë mendoni se krijon kënaqësira dhe pakënaqësira brenda grupimeve të mazhorancës?

Varet, nëse përgjegjësisë që të jep posti ti i përgjigjesh me përkushtim dhe sens përgjegjësie, kjo është themelore. Besoj se tanimë nëse u ikën vlerave, kjo të dëmton. Megjithatë, njeriu kur merr një përgjegjësi, e rëndësishme është ta ushtrojë për atë që të tjerët kanë votuar. Këtë nuk e them vetëm për karrigen e kreut të Parlamentit, por duke filluar nga mandati i deputetit, që për mua është krenaria më e madhe.

Cilat janë marrëdhëniet që janë krijuar në mes institucioneve më të larta që janë administruar nga përfaqësues të PD-së? është folur dikur për një ftohje me Presidentin e Republikës, që ishte kandidati i shumicës. A ka vërtet probleme dhe me çfarë dimensioni janë?

Nuk ka probleme, raportet s’janë më partiake, por raporte institucionale dhe unë mendoj se kështu duhet të jenë. Ky vend ka nevojë për forcimin e institucioneve dhe forcimin e pavarësisë së tyre, siç ka nevojë dhe për një lidership të fortë. është vend në tranzicion dhe kërkon që secili nga pushtetet të ketë primar raportin e përgjegjësisë.

Në dy mandate, a ka diçka që duhet parë në meritokracinë e përfaqësimit brenda PD-së?

Mendoj se gjithmonë ka për të parë gjithçka në përfaqësimin e forcave politike. Dhe këtu nuk përjashtoj as PD-në. Këto vite kanë qenë vite sfidash dhe është vënie në provë dhe raport me sistemin e vlerave. Ka shumë rëndësi mesazhi që titullarët do të përcjellin. Gjithmonë ka mundësi që gjërat të bëhen edhe më mirë. Unë mendoj se ka vend dhe kohë për të punuar më shumë, megjithëse punohet pa orare.

Kur do të nisë procesi për zgjedhjet lokale? A do të ketë përgatitje ristrukturimi me aleatët, apo do të ketë skemë tjetër?

Nuk ka dyshim që në zgjedhjet e ardhshme do të shkojmë me koalicionin ekzistues, mbase do ta zgjerojmë akoma më shumë. Ideja e fillimit të reformës zgjedhore duhet konsideruar apo vlerësuar. Së pari, sepse është detyrim që vjen nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Kryeministri Berisha i ka dhënë një shans, por ata as nuk pranojnë ta lexojnë. Berisha u ka bërë shumë koncesione dhe mua nuk më ka ardhur shumë përshtat. Në cilin vend qeveria i jep opozitës si koncesion Kodin Elektoral? Unë vërej se sa më shumë koncesione bëhen, aq më shumë radikal bëhet zoti Rama dhe më i trishtuar bëhet. Nganjëherë më duket si një shtëpiake e dëshpëruar dhe kjo nuk i bën mirë PS-së dhe as vendit. Trishtimin personal s’ke pse ua përmend të tjerëve. Lider është ai që beson në ëndrrën e tij edhe kur është në momentin e humbjes.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›