E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush e dinte që të burgosurit e Guantanamos ishin të pafajshëm

SHBA Një ish-zyrtar i lartë akuzon Bushin, çenin e Ramsfeldin për fshehje të pafajësisë së qindra të burgosurve

Ish-presidenti Bush, Dik çeni dhe Donald Ramsfeld kanë fshehur faktin e dërgimit të qindra personave të pafajshëm në kampin burg të Guantanamos, sepse mendonin se po t’i linin të lirë do të kishin dëmtuar nxitjen për luftën në Irak dhe në përgjithësi për luftën kundër terrorizmit. Kjo bëhet e ditur nga disa dokumente të reja të publikuara prej së përditshmes britanike “The Times”. Akuzat janë bërë nga Lorence Wilkerson, një nga ndihmësit më të afërt të ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Colin Powell, në një deklaratë të firmosur në mbështetjeje të një çështjeje gjyqësore që ka hapur një i burgosur i Guantanamos. është hera e parë që një akuzë e tillë bëhet nga një zyrtar i lartë i administratës së Bushit.

Koloneli Wilkerson, që ka qenë shefi i stafit të gjeneralit Colin Powell kur ai ishte në krye të Departamentit të Shtetit, ka qenë shumë kritik ndaj shumë vendimeve të Dik çenit dhe Donald Ramsfeldit. Ai pretendon se ish-zëvendëspresidenti amerikan dhe sekretari i Mbrojtjes e dinin që shumica e 742 të burgosurve të dërguar në Guantanamo në vitin 2002 ishin të pafajshëm, por besonin se “do të kishte qenë politikisht e pamundur që t’i linin të lirë”. Gjenerali Powell, i cili e la administratën e Bushit në vitin 2005, i inatosur nga mangësia në informim që i ishte bërë në rastin kur mbrojti luftën në Irak para OKB-së, e ka mbështetur deklaratën e ish-punonjësit të tij. Koloneli ka qenë për një kohë të gjatë një nga kritikët më të mëdhenj të veprimeve dhe vendimeve të administratës së Bushit në lidhje me kundërterrorizmin dhe luftën në Irak dhe pretendon se pjesa më e madhe e të burgosurve të Guantanamos, mes të cilëve edhe shumë fëmijë, nuk panë kurrë asnjë ushtar amerikan kur u futën pas hekurave. Ai tha se pjesa më e madhe e tyre ishin dorëzuar nga afganët apo pakistanezët për 5000 dollarë. Për arsyen e arrestimit të tyre ka pasur shumë pak fakte, ose fare në shumicën e rasteve. Ai gjithashtu pretendon se një nga arsyet se përse çeni dhe Ramsfeld nuk donin që të burgosurit e pafajshëm të liheshin të lirë, është sepse do të dilnin në shesh operacionet shumë konfuze të kapjes së tyre. Sipas ish-zyrtarit, kjo nuk ishte e pranueshme për administratën dhe do të kishte shkaktuar një dëm shumë të madh për vetë lidershipin më të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Më pas, duke iu referuar çenit, koloneli Wilkerson, i cili ka shërbyer për 31 vjet në ushtrinë amerikane, vlerëson: “Atë nuk e shqetësonte fare fakti se pjesa më e madhe e të burgosurve të Guantanamos ishin të pafajshëm e nëse qindra njerëz të pafajshëm duhet të vuanin në mënyrë që të burgoseshin terroristë”.

Sipas tij, për çenin dhe Ramsfeldin “qëndrimi i njerëzve të pafajshëm që dergjeshin në Guantanamo për vite të tëra justifikohej në kuadrin e luftës kundër terrorizmit”. Më pas ai shton: “Unë e kam diskutuar çështjen e të burgosurve të Guantanamos me sekretarin Powell dhe mësova prej tij se në këtë çështje nuk ishte përfshirë vetëm zëvendëspresidenti çeni dhe sekretari Ramsfeld, por edhe vetë Presidenti Bush”. Sipas kolonelit Wilkenson, çeni dhe Ramsfeld e gjykonin burgosjen e njerëzve të pafajshëm të pranueshme, nëse ndërkohë kapeshin edhe militantë terroristë, çka do të jepte një vizion më të qartë të të dhënave inteligjente në Irak, në një kohë kur administrata e Bushit po kërkonte dëshpërimisht një lidhje mes Sadam Huseinit dhe sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork. Ai ka firmosur një deklaratë në favor të Adel Hasssad Hamad, një burrë nga Sudani, i cili u mbajt në Guantanamo nga marsi i vitit 2003 deri në dhjetor të vitit 2007. Ai pretendon se është torturuar nga agjentët amerikanë dhe dy ditë më parë ka hedhur në gjyq disa zyrtarë amerikanë për dëmet që i kanë shkaktuar. Një zëdhënës i Bushit ka deklaruar se ish-presidenti nuk ka ndonjë koment për të bërë, ndërsa burime të afërta me Ramsfeldin i kanë hedhur poshtë si të pavërteta deklaratat e ish-zyrtarit të lartë, ndërsa zyra e çenit nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›