E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalai Lama: Nobeli për Obamën është i parakohshëm

Dalai Lama, fitues i çmimit Nobel për Paqen në vitin 1989, e cilësoi si të parakohshëm dhënien e çmimit Nobel për Paqe presidentit amerikan, Barak Obama.
"Mendoj, duke qenë realist, se ky çmim ishte pak i parakohshëm. Por nuk është diçka e rëndë, unë e di që Obama është një njeri shumë i aftë'', deklaroi shefi shpirtëror tibetian në mërgim për stacionin televiziv australian ''Sky News''.
Laureat i çmimit Nobel për paqe më 1989-n, Dalai Lama theksoi se ''bota duhet të presë për të mësuar nëse Barak Obama kishte vendin e tij në krah të paraardhësve si Aung San Suu Kyi dhe Lech Walesa''.
"Kur u njoftua se çmimi iu akordua një presidenti amerikan të ri dhe plot energji, e gjithë bota ishte shumë e kënaqur'', deklaroi ai.
"Megjithatë, gjatë këtij njoftimi disa menduan se ishte pak i parakohshëm. Por, gjithashtu ka disa arsye që ky çmim i është akorduar Obamës, atëherë ne duhet të presim'', theksoi Dalai Lama.
Presidenti amerikan, Barak Obama mori dje në Oslo çmimin Nobel për Paqe, akorduar në muajin tetor. Për ironi të kalendarit, ceremonia u zhvillua ndërkohë që Obamës i duhet të vendosë për dërgimin e 30 000 trupave shtesë në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›