E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalja e Greqisë, sa kushton për anëtarët e tjerë të Unionit

Gazeta Shqip

Krizë 

Në samitin e BE-së në tetor vendoset përfundimisht për fatin e vendit në eurozonë

Në samitin e ardhshëm të BE-së në tetor pritet të diskutohet për mbetjen e Greqisë në eurozonë, ndërsa në qendër do jetë një pyetje që të gjithë e mendojnë: sa do të kushtojë kjo për vendet e tjera?  Argumentet pozitive nuk mungojnë as për daljen dhe as për mbetjen e Greqisë në eurozonë. Fakt është që vendi nuk i ka arritur as për së largu objektivat e konsolidimit për të cilët ka rënë dakord me kreditorët. Nëse kriza e euros është edhe krizë besimi, atëherë një pjesë e këtij besimi mund të rifitohet nëse kreditorët marrin masa dhe i mbyllin rubinetin e ndihmave Greqisë. Nga ana tjetër, Athina nuk mund t’i respektojë planet e kursimeve, pasi ekonomia është zhytur më thellë nga sa pritej në recesion, për shkak të politikës së ngurtë të kursimeve. Dhe a nuk duhet t’i jepet qeverisë së re një shans për të dëshmuar me prova vullnetin e saj për reforma? Në konsideratat nëse Greqisë i duhet dhënë edhe njëherë dora apo duhet detyruar të dalë nga unioni monetar, pyetja më e rëndësishme është nëse një dalje “Grexit” mund të menaxhohet. Përgjigjet e ekspertëve për këtë pyetje e shtojnë konfuzionin. Së pari, mendimet janë tejet të ndryshme, së dyti, askush nuk mund ta parashikojë, pasi një gjë e tillë nuk ka ndodhur më parë. Shumë specialistë mendojnë se Grexit duhet të ndodhë sa më parë. “Atëherë, elita e politikës do të shohë se kjo nuk është edhe aq e keqe. Përkundrazi, tregjet ndoshta do të qetësohen menjëherë, thotë njëri prej tyre. Të tjerë akoma paralajmërojnë për një shpërbërje të unionit monetar në rast dalje të Greqisë. “Mund të parashikohet se në tregjet financiare do të nisnin menjëherë spekulimet se kush do të jetë kandidati i ardhshëm për të dalë”. Le të shohim fillimisht kostot e llogaritshme: instituti Ifo në Mynih llogarit një humbje prej deri 82 miliardë euro për Gjermaninë, në rast se Greqia do të humbasë aftësinë paguese dhe do të dalë nga eurozona. Kjo shumë përbëhet nga pjesa gjermane në dy paketat emergjente të ndihmës, blerjet e obligacioneve shtetërore greke nga Banka Qendrore Europiane (ECB) dhe detyrimet e Bankës Qendrore greke ndaj Bundesbank. Revista ekonomike “The Economist” pret edhe kosto të tjera. Për shembull një program ndihme emergjente për popullsinë greke, i cili sipas redaktorëve të “Economist” do të kushtonte deri 50 miliardë euro. Pjesa gjermane në këtë program do të ishte 17 miliardë euro. Bankat gjermane do të zbrisnin në bilancet e tyre si humbje investimet në Greqi dhe do të kishin ndoshta nevojë për ndihma nga shteti. Gjithsej fatura e Gjermanisë në rast dalje të Greqisë nga eurozona do të shkonte në 120 miliardë euro, ose 4,5 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Avantazhi do të ishte që Gjermania dhe vendet e tjera kreditore nuk do të kishin më nevojë të hidhnin para në një fuçi të shpuar. Tema Greqi do të mbyllej për një farë kohe. Fatura nuk do të ishte e shtrenjtë nëse do të mbetej në këto kosto. Por mund të ndodhte edhe ndryshe, pasi me një Grexit nuk do të zhdukeshin defektet e ndërtimit të euros. Spekulimet kundër monedhës së përbashkët jo vetëm nuk do të merrnin fund, por ekziston frika se ato do të fillonin pikërisht atëherë. “Në këtë rast do të shkaktonim një ortek i cili mund të bëhet i rrezikshëm për bashkimin monetar”, thonë ekonomistët. Nën kërcënimin e një paniku në tregje, qeveria gjermane mund të detyrohej të lejonte të gjitha instrumentet për luftimin e krizës, deri atëherë të refuzuara prej saj. Duke filluar me një licencë bankare për fondin e shpëtimit ESM dhe duke mbaruar me euro-obligacionet, të cilat Merkel i ka hedhur poshtë në mënyrë të prerë. Rreziku për taksapaguesit gjermanë do të rritej në infinit. Për këtë arsye “The Economist” propozon si opsion që nëse pastrimi i eurozonës do të fillojë, atëherë të nxirren jashtë të gjithë mëkatarët e deficiteve buxhetore. Kjo do të prekte Irlandën, Portugalinë, Spanjën dhe Qipron. Kostot për Gjermaninë në këtë rast do të shkonin në 385 miliardë euro, ose 15 për qind e PBB-së. Për Gjermaninë e fortë financiarisht, e cila aktualisht noton në të ardhurat fiskale, kjo do të ishte e përballueshme. Por problemi është se nuk ka asnjë garanci që investuesit do të rifitonin besimin tek euroja. Çfarë do të ndodhte me Italinë e cila me 120 për qind ka kuotën më të lartë të borxheve në eurozonë? Vendimi mund të shtyhet edhe pas vjeshtës. Ndërkohë, grekët mund t’i mbajë gjallë Banka Qendrore Europiane, deri tani ajo i ka ardhur gjithnjë në ndihmë politikës.

Humbjet - Instituti Ifo në Mynih llogarit një humbje prej deri 82 miliardë euro për Gjermaninë, në rast se Greqia do të humbasë aftësinë paguese dhe do të dalë nga eurozona

Menaxhimi - Pyetja më e rëndësishme është nëse një dalje “Grexit” mund të menaxhohet. Përgjigjet e ekspertëve për këtë pyetje e shtojnë konfuzionin

Propozimi - “The Economist” propozon si opsion që nëse pastrimi i eurozonës do të fillojë, atëherë të nxirren jashtë të gjithë mëkatarët e deficiteve buxhetore

Dalja e Greqisë, sa kushton për anëtarët e tjerë të Unionit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›