E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalje masive në zgjedhjet në Maqedoni

Nga Express më 05 qershor 2011 në ora 21:13

(E plotësuar) Në orën 19 janë mbyllur që të 2976 vendvotimet, në të cilat mbi 1 milion e 820 mijë qytetarë kishin të drejtën për të votuar për ndonjërën nga 18 subjektet politike që morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni.

Dalja në votime ka qenë masive, më e larta në nga viti 2002. Sipas nënkryetarit të KSHZ-së, Subhi Jakupi, në zgjedhje kanë dalë mbi 60 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Jakupi tha se “dita e diel ishte ditë feste në Maqedoni dhe se zgjedhjet e 5 qershorit ishin më të mirat që nga pavarësia e Maqedonisë

Në Maqedoni mbyllen kutitë e votimit

Në Maqedoni në ora 19.00 është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Deri në ora 17.00 kanë votuar 53,86% e qytetarëve

Drejtues të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoni kanë bërë të ditur se deri në ora 17.00 të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar 53,86 për qind e qytetarëve.

Sipas këtyre të dhënave më së shumti votues ka në njësinë 3- 61,23 për qind, në njësinë katër kanë votuar 58,80 për qind, në njësinë një kanë votuar 57,77 për qind, në njësinë pesë 53,47 për qind, njësinë dy 49,69 për qind dhe në njësinë e gjashtë kanë votuar 42,28 për qind.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, tha se procesi po rrjedhën pa probleme dhe në mënyrë korrekte.

Sipas rezultateve nga ana e Komisioneve Komunale (KK) deri në ora 17.00, në zonat shqiptare ka dalje nga 30-40 për qind.

Në zonat shqiptare ka dalje të votuesve deri 40%

Komisionet Komunale në Maqedoni njoftojnë se deri në ora 17.00, në zonat shqiptare ka dalje nga 30- 40 për qind, derisa në zonat e banuara me popullsi maqedonase në votime kanë dalë mbi 60 për qind e qytetarëve.

Në rajonin e Tetovës është regjistruar shifra e votuesve deri në 40 për qind, në rajonin e Gostivarit mbi 30 për qind, Dibër 36 për qind, në komunën e Likovës, Haraçinës, Kumanovës 46 për qind, në Çair mbi 35 për qind.

Në njësinë e 5 zgjedhore që përfshin Strugën, Dibrën gjithashtu ka një fluks jo të kënaqshëm të votuesve prej rreth 30 për qind.

Ndërkaq, komisionet komunale në zonat 3 dh 4, 5 kryesisht me popullsi maqedonase ka një fluks në rritje të daljes në votime. Në Strumicë dhe Kavadarc kanë dalë 60 për qind, Prilep mbi 46 për qind, etj.

Deri në orën 13, dalja në votime ishte mbi 35%

Procesi zgjedhor në Maqedoni sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve po zhvillohet në atmosferë të qetë dhe demokratike ndërsa deri në orës 13 në votime kanë dal 35.8% nga numri i përgjithshëm i votuesve.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko tha se në përgjithësi zgjedhjet janë korrekte dhe se nuk janë regjistruar parregullsi që do të prishnin procesin zgjedhor. Sipas KSHZ-së, dalje më e madhe e votuesve është regjistruar në njësinë e tretë zgjedhore, gjithsej, 40. 82 %.

Ndërkohë një njësinë e gjashtë zgjedhore me popullatë shqiptare në votime kanë dalë, 27.60 %. Pas votimit në një qendër votimi në Shkup, Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov tha se zgjedhjet janë dita kur festohet demokracia andaj shprehu bindjen se procesi i sot do të jetë i qetë dhe demokratik: “ Vota e tyre vendos se kush do t’i miratojë vendimet që njëherësh janë thelbësore për vendin dhe ndihmojnë realizimin e qëllimeve tona strategjike.

Pikërisht për këtë shkas dëshirojmë që dita e sotme të kalojë ashtu siç duhet, ashtu sikur i ngjan një vendi që tani e 20 vite frymon në demokraci, vend që plotëson të gjitha standardet demokratike dhe qëndron krah për krah me të gjitha demokracitë në botë” u shpreh Ivanov.

Maqedonia voton

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve deri në orën 10 në nivel të Republikës, kanë votuar 14.02 për qind.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, tha se deri në këtë moment nuk janë regjistruar incidente dhe se procesi zgjedhor po zhvillohet në atmosferë demokratike.

Dalje më e madhe e votuesve është regjistruar në njësinë e tretë zgjedhore, gjithsej në votime kanë dalë 18.81 për qind, ndërsa më së paku në njësinë e gjashtë zgjedhore të banuar kryesisht me popullatë shqiptare, ku kanë votuar gjithsej 7.90 për qind.

Ndryshe nga KSHZ-ja, asociacioni qytetar “MOST”, që ka numrin më të madh të vëzhguesve, ka raportuar për disa parregullsi të vogla, por të natyrës teknike, për mos hapjen me kohë të disa vendvotimeve.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni bëri të ditur se të 2,976 vendvotimet e shpërndara në gjashtë njësi zgjedhore, janë hapur me kohë dhe se procesi zgjedhor po zhvillohet pa pengesa.

Të drejtë vote kanë 1.821.122 qytetarë, të cilët mund të votojnë për kandidatët e 18 subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Për herë të parë tre deputetë do të zgjidhen nga diaspora, një nga Evropa, një nga Amerika dhe Kanadaja dhe deputeti i tretë nga Australia. Votimi në diasporë është realizuar gjatë ditës së shtunë.

Fushata elektorale 20 ditëshe ka kaluar e qetë, në veçanti në bllokun politik shqiptar, ku për herë të parë që nga vendosja e pluralizmit nuk është regjistruar as edhe një incident. /rel/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›