Dallimet mes eurove ‘gjermane’ e ‘greke’

Me shfaqjen e valutës së përbashkët evropiane, ishte paramenduar që në monedhat metalike të vendoseshin tipare karakteristike kombëtare të vendeve të eurozonës, por edhe që në bankënotat e përbashkëta të gjendeshin shenjat e përbashkëta dalluese evropiane.
Në këtë gjë, madje, u shkua aq larg, saqë ekipe të tëra ekspertësh kontrollonin nëse fotografitë e veprave arkitektonike, të cilat zbukuronin ballinat e bankënotave evropiane - ashtu siç ishin ‘pikturuar’ - të mos ekzistonin në asnjë vend të BE’së, por që të paraqitnin vetëm një lloj interpretimi artistik të ndërtesës që përfaqësonte një periudhë të caktuar historike.
Nga ana tjetër, edhe para tekstit të botuar në ‘Die Welt’ nuk ishte aq e vështirë të kuptohej se bankënotat e caktuara të euros në vete bartin shenjat e shteteve që i kishin lëshuar në qarkullim.
Sekreti fshihet në shkronjën me të cilën fillon numri serik i bankënotës, sepse (pothuajse) secili shtet ka ‘shkronjën e vet’. Megjithatë, në Bankën Qendrore Evropiane (ECB) sikur deshën që kjo e dhënë të paktën të kamuflohej disi, andaj këto shenja i bën paksa më të komplikuara. Në të vërtetë, të gjitha shteteve evropiane të cilat euron e adaptuan si valutë të tyre zyrtare që në fillim të prezantimit të saj iu dha nga një shkronjë sipas radhitjes alfabetike të emrit të tyre - por që në numrin serik të bankënotave fillonte nga shkronja e fundit e alfabetit.
Y, V ose M janë shkronjat “e rrezikshme”
Kështu, Belgjika ndodhet në vendin e parë të listës së shteteve evropiane – dhe asaj iu dha shkronja Z. Mirëpo, edhe në atë kohë u shfaq problemi me Greqinë (në greqisht Hellas), të cilës duhej t’i ndahej shkronja W - një shkronjë kjo që nuk ekziston fare në alfabetin grek. Si rrjedhojë, Greqisë iu nda shkronja Y në vend të Danimarkës, kurse bankënotat që prodhoheshin në Gjermani (Deutschland) mund të njiheshin për nga numri serik që fillon me shkronjën X.
Në të vërtetë ekziston edhe një shenjë tjetër kombëtare, e cila fitohet si rezultat i mbetjes që fitohet nëpërmjet një pjesëtimi të komplikuar të numrit serik me numrin 9. Kështu, nëpërmjet një procedure paksa më të komplikuar të llogaritjes në bankënotat e prodhuara në Gjermani mbetja gjithnjë do të jetë 2, edhe pse kjo përllogaritje është krijuar për një arsye krejt tjetër. Në fakt, edhe për falsifikuesit më të zhdërvjelltë është pothuajse e pamundur që bankënotat ‘e tyre’ të kurdisen ashtu që ky numër kontrollues të jetë i saktë, kështu që për kompjuterët bankarë pastaj nuk është punë e vështirë të zbulohen paratë e falsifikuara.
Bankënotat greke nga Gjermania
Pavarësisht asaj se a do të mbetet Greqia – apo Portugalia (M) ose Spanja (V) - në eurozonë, Banka Qendrore Evropiane garanton për të gjitha bankënotat dhe monedhat, kështu që e gjithë paranoja e shfaqur lidhur me ardhmërinë e tyre është e pakuptimtë.
Kjo paranojë del edhe më e pakuptimtë kur dihet se shumica e bankënotave dhe monedhave metalike greke prodhohen në Gjermani. Pra, vendi i shtypjes së bankënotave nuk është e thënë që domosdoshmërisht të përshtatet me vendndodhjen e bankës që ato i ka lëshuar në qarkullim. Ky detaj mund të zbulohet në një vend tjetër në bankënotë.
Në ballinën e bankënotës prej 50 eurove, pak mbi hologram ndodhet një katror i vogël me shifrën që i takon shtypshkronjës. Në poentë më të vegjël, kjo shifër është e fshehur në njërin prej yjeve të radhitura përreth motivit të bankënotës.
Edhe aty, shkronja përcakton shtypshkronjën – në Gjermani janë dy të tilla; shkronja P tregon se bëhet fjalë për shtypshkronjën Giesecke & Devrient, kurse shkronja R, për Shtypshkronjën Federale të Gjermanisë. Pas shkronjave pason kodi, i cili zbulon – saktësisht - se në cilën pjesë të pllakës së shtypshkronjës është prodhuar bankënota.
Një laramani e pandashme
Nëpërmjet shenjave të saj – të fshehta ose të dukshme – kombëtare, valuta e përbashkët evropiane në fakt dëshironte të tregojë se kontinenti i Evropës po bashkohej dhe se ai më nuk mund të ndahet.
Kur euro u shfaq për herë të parë, kishte mjaft të atillë që filluan të grumbullonin monedhat metalike të shteteve të tjera, por, pas më shumë se dhjetë viteve të ekzistimit të euros, metelikët e grumbulluar asokohe ka kohë që janë shpenzuar, sepse një koleksion i tillë u tregua i pakuptimtë.
Në ndërkohë është gati e pamundur që, në rastin kur si kusur merrni para të metalta, të gjitha ato të jenë me të njëjtën shenjë kombëtare.
Paraja ka kohë që udhëton nëpër Evropë, prandaj shpeshherë ndodh që, pasi që të jetë ‘shpërngulur’ në ndonjë shtet tjetër, ajo edhe të mbetet atje.
Fatkeqësisht, kur flitet për buxhetet shterpore ose për disiplinën fiskale, dallimet në Evropë ende janë të mëdha.
Por, kur bëhet fjalë për apoenët e euros, Evropa tashmë është një union brenda të cilit nuk ka asnjë dallim.
Shenjat e serive të eurove sipas shteteve
Belgjika Z, Gjermania X, Estonia D, Irlanda T, Greqia Y, Spanja V, Franca U, Italia S, Qiproja G, Luksemburgu I, Malta F, Holanda P, Austria N, Portugalia M, Sllovenia H, Sllovakia E, Finlanda L.