E Shtunë, 31 Tetor 2026

Damkosja e atyre që dëshmuan

25 persona, dëshmitarë të mbrojtur dhe dëshmitarë potencialë në procese të ndryshme gjyqësore dhe raste të tjera të krimeve, janë vrarë që nga viti 1999 në Kosovë

- “Human Rights Watch” dhe KMDLNJ akuzojnë UNMIK, se ka dështuar të mbrojë dëshmitarët

- Sipas tyre, janë struktura të larta politike të përfshira në vrasjen e dëshmitarëve

- Familjet e atyre që janë vrarë apo atyre që janë larguar jashtë vendit, jetojnë në kushte të

mjerueshme, të zhgënjyer, nën frikë dhe të diferencuar nga rrethi

Prishtinë - Fshati i ka lëçitur. Jo vetëm që nuk iu flet askush, por nuk lejon që rruga deri te shtëpitë e tyre të hapet. Duhet të ecësh këmbë së paku 600 metra përmes livadheve, ngaqë rruga që shpie atje është bërë e pakalueshme nga uji dhe e zënë nga degët e lisave. Dy shtëpi të vjetra kanë mbetur pothuajse si në ishull. Janë shtëpitë e vëllezërve S. S., në një fshat në juglindje të Kosovës. Njëri nga ata ka qenë dëshmitar i mbrojtur në një proces gjyqësor që ka përfunduar para 5 vjetësh. Pak muaj më parë ai është larguar me tre fëmijët dhe gruan, pasi një shtet i BE i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së UNMIK për të larguar këtë familje jashtë vendit, ngaqë ishin të rrezikuar. I vëllai i tij thotë se i është mërzitur jeta në këtë vend. “E kam ditur se do na gjente kjo, përjetë do të mbetemi të lëçitur dhe pa kurrfarë ndihme. I kam pas deri tash barrë edhe fëmijët e vëllait për t'i mbajtur, sepse vëllai nuk guxonte të rrinte në shtëpi. Maleve kam bartur miell me thes në krah për ta sjellë në shtëpi. Tash m'u ka heq madje pak derti i tyre”.

Nga dënimi i shqiptuar prej 3 deri në 5 vjet burg për krime kundër njerëzimit, në një proces gjyqësor ndaj 6 personave, shumica nga të dënuarit tashmë janë liruar. Tani, nëse do të kthehej sërish nga e para historia e jetës së tyre, ai thotë se do të bënte çmos që të ndalte vëllain që të mos dëshmojë.

Edhe varrin ua dogjën ...

Janë bërë 7 vjet, që kur administrata e OKB themeloi një program të mbrojtjes së dëshmitarëve. Për tërë këto vite, sipas atyre që kanë përcjellë në detaje këtë proces, është dështuar që t'iu ofrohet siguri dhe kushte elementare këtyre njerëzve.

Proceset gjyqësore, në të cilat kanë qenë të përfshirë dëshmitarë të mbrojtur, përfshi edhe Tribunalin e Hagës, shumica kanë përfunduar. Problem paraqesin tash proceset akoma të papërfunduara gjyqësore, kryesisht për krim të organizuar në vend nga shkaku i dëshmitarëve. Në fshatin X të Rahovecit, dëshmitari i vrarë ka pasur ndëshkim edhe pas vrasjes me djegien e varrit një natë pas varrimit.

Katër vjet më parë ai ishte regjistruar si dëshmitar në një proces gjyqësor për krime lufte.

Tre persona tashmë janë dënuar për këtë. Por këtu, personi që ka dëshmuar, sipas bashkëfshatarëve, ka qenë bashkëpunëtor i ish-regjimit dhe sipas tyre njerëzit kanë vuajtur prej tij.

Përveç familjes së tij, edhe dy vëllezërit e tjerë janë larguar me ndihmën e UNMIK. “Ata të UNMIK i kanë marrë me gra e më fëmijë, një javë pas vrasjes. Pak pasi u larguan, dikush natën iu vuri flakën edhe shtëpive dhe dogji gjithçka që lanë pas”, - rrëfen S. B., banor i këtij fshati.

Programi i Mbrojtjes së Dëshmitarëve, i cili udhëhiqet tërësisht nga administrata e UNMIK, deri më tani ka ofruar strehë përkohësisht për afro 200 persona, ku përfshihen edhe familjet e tyre….

Por, cilësia e kësaj përkrahjeje është shumë e dobët, sipas konkludimeve të organizatave të ndryshme për të drejtat e njeriut. Ekspertë të tyre kanë gjetur se programi ofron një përkrahje shumë të limituar për personat që duhet të dëshmojnë dhe shumë më pak për familjet e tyre. Robert Dean, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Drejtësisë, thotë se çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve është një problem në çdo vend. Për 27 vjet të karrierës së tij në gjykatat amerikane dhe afërsisht 6 vjet në ato kosovare si staf ndërkombëtar, Dean thotë se sfidat janë të njëjta. “Mbrojtja e dëshmitarëve dhe viktimave është një çështje problematike gjithkund, edhe në Kosovë. Mbrojtja e dëshmitarëve është problemi më i madh, ngaqë Kosova është vend i vogël”. Ai nuk specifikon se sa është koha e ofrimit të mbrojtjes dhe nëse ka rënë apo është rritur niveli i njerëzve të gatshëm për të dëshmuar.

“Nuk mund të them, nëse ka qenë një rrëfim i suksesshëm apo jo. Ish-zëvendësi i PSSP, Steven Schook, ka krijuar më herët një ‘task force’, e cila ka evidentuar defektet më të mëdha të programit dhe ato i janë paraqitur PSSP. Tani ata po shikojnë të riparojnë defektet. Besoj se programi do të forcohet me kohë me ndihmën e qeverisë, EULEX dhe asaj që do të mbetet prej UNMIK”. Burime të gazetës nga UNMIK flasin për detaje abuzuese në lidhje me dëshmitarët.

“Ka qenë i pamundur suksesi në këtë program, kur zyrtarë të lartë të UNMIK, policisë dhe qeverisë kanë zbuluar dëshmitarët”, - thotë me kusht anonimiteti një zyrtar i UNMIK.

Dozë e lartë pendese duket te ato familje që thonë se të dyja palët i kanë detyruar të dëshmojnë. Këto “dy palë”, janë njëra e njerëzve që kanë qenë në konflikt me të akuzuarit dhe në anën tjetër prokuroria ndërkombëtare. Nëse do të kishte mundur t'i kthejë pas 6 vitet e mëparshme I. S., kurrë nuk do të kishte pranuar të lejonte djalin të dëshmonte.

“Gjërat që rrodhën, treguan se djali im ishte manipuluar dhe se po dëshmonte nën presion nga komandantët e tij. Pastaj prokuroria e gjykata më tradhtuan. Ata nuk iu përmbajtën marrëveshjes për mbrojtje. Djali m’u vra”, - thotë I. S., një nga prindërit, djali i të cilit ishte dëshmitar në një proces gjyqësor, gjithashtu për krime lufte. 5 persona u dënuan për vrasje dhe torturim gjatë dhe pas luftës.

Tani ai jeton në varfëri ekstreme dhe me ndjenjën e përbuzjes nga rrethi për shkak të së kaluarës që lidhet me një dëshmi. Pak kilometra më tutje, në një qytezë tjetër, një plak jeton i vetëm në shtëpi, për shkak se dy djemtë e tij kanë ikur nga frika. Që të dy kanë kërkuar azil në një vend të Evropës.

“Human Rights Watch”: Dëshmitarëve iu japin veç bukë, përkohësisht

“Ata ofrojnë një strehim të përkohshëm për personin që dëshmon. Në disa raste edhe për familjet e tyre. Atyre iu sigurohet ushqim, fjetje dhe veshmbathje, por ata kanë nevojë për gjëra tjera, së pari shkollimin e fëmijëve që nuk mund t'iu sigurohet”, - thotë Wanda Troszczynska nga “Human Rights Watch”.

Ajo ditë më parë ka udhëhequr një ekip të HRW në Kosovë, i cili ka bërë një raport mbi gjendjen e dëshmitarëve dhe sistemin e drejtësisë. Derisa përpiqet të argumentojë atë që ka dalë si konkluzion nga ky raport, se “drejtësia në Kosovë është copëtuar”, Troszczynska ndalet te një gjë: 12 dëshmitarët e vrarë. “Nuk kemi mundur të marrim pasqyrën e plotë të vrasjeve, por e vërteta është se ata janë vrarë dhe përgjegjësit kanë dështuar t'i mbrojnë”. Sipas saj, mbrojtja e dëshmitarëve paraqet problem në çështjet që përfshijnë krimin e organizuar, krimet e luftës dhe sulmet ndaj minoriteteve. “Shumë dëshmitarë nuk pranojnë të dëshmojnë për shkak të kërcënimeve. Kosovës i mungon një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe shpeshherë gjykatësit dhe prokurorët dështojnë në përdorimin e masave të disponueshme”.

Deri më tani, sipas të dhënave të HRW dhe KMDLNJ, vetëm 5 familje kanë arritur të zhvendosen jashtë vendit. “Po nuk ofruan më shumë strehë vendet e BE dhe SHBA, për dëshmitarët në rrezik, ndjekja penale e individëve përgjegjës për krimet e rënda do të mbetet thuajse e pamundur”, - thotë ajo.

“I kam thënë djalit ‘hiq dorë, se nuk ka zgjidhje tjetër’. Ishin 12 vetë aty dhe ata nisën që atëherë të kërcënojnë”, - thotë V. V., nga një fshat në veriperëndim të Kosovës, djali i të cilit ishte dëshmitar bashkëpunëtor në një proces gjyqësor për terrorizëm, ku 12 veta ishin paraburgosur. Prej tyre aktualisht është vetëm një duke u mbajtur në burg, ngaqë të tjerët u liruan për mungesë dëshmish.

Gjatë hulumtimeve në vend HRW, sipas Troszczynskës, ka parë se me gjithë investimet e mëdha që janë bërë, ekzistojnë defekte të mëdha në organizimin midis policisë, prokurorëve vendorë e ndërkombëtarë, si dhe sistemit elektronik, i cili akoma nuk është operativ. “Trazirat në Mitrovicë më 17 mars 2008 treguan se nuk ka sistem efektiv, të aftë të zbulojë, hetojë dhe përndjekë penalisht çfarëdo aktesh të tilla të dhunshme”.

KMDLNJ: Nga kriminelët, UNMIK bëri politikanë

Më shumë se HRW, viktima nga radhët e dëshmitarëve në procese të ndryshme nxjerr Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ). Sipas drejtorit ekzekutiv, Bexhet Shala, janë 25 dëshmitarë të vrarë që nga viti 2000 në Kosovë.

“UNMIK nuk ka mbrojtur dëshmitarët, sepse nga kriminelët ka krijuar politikanë dhe liderë. Ka qenë çmenduri në Kosovë që dikush të pranojë të dëshmojë, sepse dihej që ai po shkonte drejt vdekjes”.

Sipas Shalës, janë struktura të larta politike të përfshira në vrasjen e dëshmitarëve. “Nuk do shumë punë për të kuptuar nga kush u vranë dëshmitarët. Kemi parë dy kategori dëshmitarësh: ata që UNMIK i ka krijuar për nevoja e veta dhe dëshmitarët viktima. Ka qenë e dhimbshme, kur në procese gjyqësore kemi parë e identifikuar dëshmitarë që e kemi ditur se po shkojnë drejtë vdekjes dhe nuk kemi mundur t'i parandalojmë”.

Këto dy kategori dëshmitarësh janë parë në një proces gjyqësor para 5 vjetësh për krime lufte. Ishte një proces maratonik, ku në fund, Gjykata Supreme vendosi të prishë lëndën dhe të kthejë në rigjykim duke liruar 4 personat nga burgu. Njëri nga dëshmitarët u largua jashtë vendit, kurse tjetri publikisht mohoi dëshminë e dhënë më herët si gjoja të porositur nga UNMIK. Akoma nuk është e mundur të sqarohet, nëse ky i dyti hoqi dorë nga dëshmia me dëshirë apo nën presion. “Nuk ishte e lehtë të dëshmoje kundër tyre”, - thotë një i afërm i këtij dëshmitari. 5 vjet pas, disa nga ish-personat e akuzuar kanë marrë poste të larta në institucione vendit. Sipas KMDLNJ, dëshmi të vërteta, të porositura apo nën presion, çfarëdo që të kenë qenë ato, një gjë duket të jetë e rëndë. “Pas ka mbetur vetëm frika, zhgënjimi, varfëria dhe një gjë që ata duket se do të vuajnë gjatë sindromën e të qenit ‘me shenjë’. Kemi parë rastet me policët, mediat, ministrat dhe strukturat e tjera politike që janë përfshirë në frikësimin dhe presionin ndaj dëshmitarëve”, - thotë Shala.

Në prill, Tribunali i Hagës ka ngritur aktakuzë ndaj një ish-ministri të qeverisë së Kosovës, atij për Kulturë, Rini dhe Sport, Astrit Haraçija, si dhe këshilltarit të tij, Bajrush Morina, ky i fundit gjithashtu gazetar dhe redaktor i një të përditshmeje kosovare (“Bota sot”), për presion ndaj një dëshmitari të mbrojtur në rastin ‘Haradinaj’ dhe të tjerët.

Një muaj më pas, pikërisht për shkak të zbulimit të identitetit të një dëshmitari të Hagës, më 20 maj, Tribunali ka ngritur një tjetër aktakuzë ndaj ish-drejtorit të një gazete tjetër kosovare (“Express”), Baton Haxhiut.



E keqja e trashëguar

Misioni i BE (EULEX), pritet që të drejtojë përpjekjet në reformat e drejtësisë. Por EULEX akoma nuk e ka të qartë skemën se si do të punojë më tutje me atë më të keqen që ka trashëguar nga UNMIK në sistemin juridik - programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

“Për momentin, gjërat janë shumë të turbullta për të dhënë konceptin se si duhet veprohet në një rast, kur trashëgojmë një të keqe”, - thotë një zyrtare e misionit të BE në Kosovë, që nuk preferon të citohet me emër. Deri më tani nga buxheti i Kosovës, që në skemën buxhetore të policisë emërohet si ‘fond konfidencial’, sipas përgjegjësve janë ndarë vetëm 200 mijë euro, që nuk i plotëson as për së afërmi nevojat e kësaj kategorie. Por, pjesa tjetër e donacioneve janë siguruar nga jashtë.

Defekte të mëdha vëzhguesit e këtij problemi kanë gjetur edhe në objekte me qira që janë marrë nga policia për nevoja të strehimit të dëshmitarëve. Objekte të tilla, sipas një raporti të OSBE dhe ambasadës amerikane në Kosovë, është e nevojshme të ndërtohen në vende më neutrale, larg vendbanimeve dhe lokacioneve të frekuentuara. Aktualisht, nuk dihet sa është numri i dëshmitarëve nën mbikëqyrjen e këtij programi dhe cila është përkatësia etnike e tyre.

Programi i Mbrojtjes së Dëshmitarëve zakonisht udhëhiqet nga një pjesëtar i policisë së OKB, Sadriç Stefanis, i cili nuk ka preferuar të flasë rreth kësaj çështjeje.

“Problemi i dëshmitarëve nis me mungesën e ligjit. Gjithçka shkon me improvizime. Problem është mungesa e buxhetit dhe nevoja e largimit të tyre jashtë vendit. Aktualisht, nuk ekziston një atmosferë stimuluese për këtë kategori njerëzish e si rezultat kemi ngecje në krimet e rënda”, - thotë gjeneralmajori Rrahman Sulejmani, ndihmës/komisar i policisë në sektorin e krimit. Një ndër masat e aplikuara mbrojtëse për dëshmitarët ka qenë pajisja me armë, por 6 muaj apo një vit më pas iu janë marrë ato... Për afro tetë vjet, sipas të dhënave zyrtare, janë ngritur 21 aktakuza për krime të luftës nga gjithsej 61 raste që janë hetuar, kurse 14 nga këta persona janë dënuar për këto vepra deri më tani dhe 7 dëshmitarë me 34 anëtarë të familjeve të tyre janë larguar nga vendi. Nga ky numër aktualisht janë vetëm katër familje që janë jashtë Kosovës dhe që kanë këtë status të dëshmitarëve të mbrojtur.

Disa fëmijë luajnë jo larg një objekti që policia e quan “objekt i vëzhgimit” dhe shumëkush andej e di se “policia i mban do njerëz aty”.

Ky është konfidencialiteti i tyre...

*Artikulli i “Lajm” u mbështet nga fondacioni danez për gazetari hulumtuese, SCOOP

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›