E Shtunë, 31 Tetor 2026

Danaj: BE t`i bëjë presion Serbisë për Kosovën

Për analisten e çështjeve rajonale, Ermira Danaj, problemi në Kosovë qëndron tek bllokimi i Veriut. E ftuar në studion e “Ora News”, Danaj komentoi situatën aktuale të Kosovës, duke theksuar se Bashkimi Evropian duhet t`i bëjë presion Serbisë për njohjen e pavarësisë. Në këtë drejtim, ajo nënvizon se Bashkimi Evropian duhet të kishte mbështetur Kosovën që në 25 korrik.
 

“Mendoj se i mungon diçka kësaj mbështetje, sepse problemi qëndron tek Veriu i Mitrovicës që vazhdon të jetë i bllokuar. 1/5 e territorit vijon të mbetet e bllokuar, do të doja që mbështetja nga OKB-ja, të shfrytëzohej nga qeveria e Kosovës për të trajtuar çështjen ashtu siç është territori i Mitrovicës së Veriut”, nënvizoi ajo.
 

Duke u ndalur tek deklarata e fundit e ndërmjetësuesit, Cooper, analistja thekson se ai vijon të përsërisë se Kosova duhet të bëjë durim. “Nuk e kuptoj se ku duhet të ketë durim ende Kosova, ndërkohë që marrëveshja për reciprocitetin nuk po zbatohet nga Serbia. Kosova po lëshon kaq shumë pe gjatë gjithë këtyre bisedimeve, sidmos për çështjet me Veriun. BE, t`i bëjë Serbisë presion për ta njohur Kosovën. Bisedimet janë të pabarabarta, nuk e di çfarë duhet të durojë më shumë Kosova”, vlerëson ajo, për të shtuar se BE duhet të ishte rreptë me Serbinë, ndërkohë që përmend faktin se ende 5 shtete të rëndësishme të BE, nuk e kanë njohur Kosovën.
 

Përsa i përket deklaratës së Stefanoviç për zgjidhjen e Kosovës nëpërmjet dy mënyrave, duke përmendur këtu edhe dhunën, analistja e çështjeve rajonale, thekon se politika serbe ka një strategji tepër të qartë, dhe vazhdon të mos pranojë njohjen e Kosovës. Në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi, Danaj thekson se këto bisedime kanë qenë të frytshme për Serbinë, pasi pala serbe ka arritur atë ç`ka dashur. “Këto bisedime nuk duhet të kishin filluar përsa kohë Serbia nuk e njeh Kosovën. Më duket e vështirë për t`u arritur një ekuilibër i tillë në këtë situatë të pabarabartë”, vlerëson Danaj.
 

Përsa i përket qëndrimit që po mban lëvizja “Vetëvendosje”, ajo thekson se fatmirësisht në Kosovë, ka një opozitë kritike parimore, që nuk merret me emra të përveçëm por që mbështetet mbi fenomenin. “Nëse i referohemi operacionit që u bë më 25 korrik, Vetëvendosje e përkrahu qeverinë, shprehu gadishmërinë që duhet vendosur kontrolli në territorin e Kosovës”, shtoi ajo. Sipas Danaj, kundërshtirtë e “Vetëvendosjes” qëndrojnë tek vendosja e territorit, ndërkohë që Veriu i Mitrovicës vijon të mbetet i bllokuar.
 

Në lidhje me ndryshimin e emrit të Edita Tahirit në bisedime, analistja Danaj thekson se në këtë rast nuk do të ndryshojë asgjë, nëse nuk ndryshon thelbi i negociatave. “Bëhet fjalë për nisjen e negociatave. Do të ishte thjesht një ndryshim emri, nëse nuk do të kishte negociata do të ishte një tjetër dështim”, u shpreh Danaj.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›