E Shtunë, 31 Tetor 2026

Danc Teatri me forca të reja

Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern vjen me 1 muaj aktivitete.


Nga 1 deri më 28 maj, në teatrin "Aleksandër Moisiu", Durrës dhe në Black Box, Tiranë marrin pjesë trupa nga Hungaria, Zvicra, Spanja, Franca, SHBA, Izraeli dhe Albania Dance Theatre me The Parfume


Ndryshe nga vitet kur Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan (Albania Dance Meeting Festival) mbahej në një javë, me pak trupa dhe jehonë ca më pak, sërish nën drejtimin e Gjergj Prevazit, edicioni i pestë vjen i përtërirë, me forca të reja, me kalendar që shtrihet në afro një muaj.


Festivali hapet sonte, ora 20.00, me debutimin e trupës spanjolle të dancit "Ballet Jesús Quiroga" në Teatrin "Aleksandër Moisiu", Durrës dhe përfundon më 28 maj, ora 20.00, me shfaqjen e trupës nga Zvicra "Linga", në të njëjtën skenë.


Përvojat e mëparshme të këtij festivali kanë dëshmuar për një frymë të re e të freskët baleti, kanë ballafaquar balerinët shqiptarë me përvoja të tjera, të ndryshme nga të këtushmet.


Nata e dytë e festivalit, më 4 maj, vijon me performancën e dy trupave nga Zvicra: "Cie Dade" në interpretimin e "Scream Scene" dhe "Trefeli" me "OOOrpheus".
Natën e 5 majit është radha e trupës amerikane "Ursula Eagly", që prezantohet me "Fields of Ida" dhe e trupës nga Izraeli "Oded Ronen & Joel Bray", me pjesën "Dorban2O & Island of Sanity".


Shfaqjet e Festivalit të Dancit Modern janë përqendruar në teatrin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit dhe vetëm tri prej tyre vijnë në Tiranë.


Më 6 maj, trupa nga SHBA "The Neta Dance Company" interpreton në teatrin e Durrësit "5 Beds & Children of the Dream & Fold-Refolds" dhe një ditë më vonë, interpreton të njëjtën pjesë në sallën Black Box të Akademisë së Arteve, Tiranë.
Më 10 dhe 11 maj, fillimisht në Durrës, më pas në Tiranë, vjen trupa hungareze "Ferenc Feher" me pjesën "Tao Te".


Shfaqja e fundit në Tiranë është "The perfect Solo" e trupës Suedeze "RytmBa", më 12 maj në Durrës dhe më 13 në Tiranë. Ditët e fundit të festivalit i takojnë trupave evropiane. Nga Franca më 17 dhe 21 maj vijnë "Ballet Actuel" që interpreton për publikun shqiptar "Interferences" dhe "Fabrice Lambert" me pjesën "Gravité".


Në këtë edicion merr pjesë vetëm një trupë nga Shqipëria, "Albanian Dance Theatre", sepse është e vetmja kompani që lëvron teatër danci nën drejtimin e Gjergj Prevazit.
Më 22 maj, ora 20.00 ajo interpreton "The Parfume".


Festivali mbyllet me pjesën "No.Thing" nga trupa e Zvicrës "Linga", më 28 maj, ora 20.00 në Durrës.


Ky festival i përvitshëm është nismë e kompanisë "Albanian Dance Theatre".
Gjergj Prevazi e themeloi në vitin 2000 dhe fillimisht e quante veten kompani e Koreografisë Bashkëkohore. Në bashkëpunim me kompani të huaja në vitet e para u realizuan shfaqjet "Transition" dhe "Contrast".


Në vitin 2001 shfaqja "Transition", në bashkëpunim me Kompaninë Zvicerane "Carambole" e drejtuar nga Silvano Mozzini dhe Christiane Loch, merr pjesë në disa festivale ndërkombëtare dhe në Itali, në "Music World International Festival" në Fivixano, fitoi çmimin "Delfino D'Argento".


Në bashkëpunim me të njëjtën kompani, Prevazi realizon "Contrast" e cila prezantohet në disa vende si Egjipt, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Ohrit. Në atë kohë kompania punonte me histori kolektive, me tema të njohura për të gjithë dhe aktuale për realitetin shqiptar në tranzicion.


Sot "Albanian Dance Theatre" ka arritur në një fazë që punon me vepra letrare, me autorë, tekste e karaktere që mendohen si privilegje të letërsisë ose të teatrit vetëm. Për shembull, "Njeriu në këllëf" është një prodhim i "Dance Theatre", i bazuar në një tregim të Çehovit. Është shfaqur premierë në Ohrid Summer International Festival në 2008.


"Lukja" po ashtu, bazuar në tregimin e Migjenit, "Historia e njenës nga ato", prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit Modern që mbahet në Durrës apo "Këpucët me zile" premierë e 2008-ës, bazuar në format dhe teknikat më bashkëkohore të dancit.


Që nga themelimi e në vazhdimësi, kërcimtarë të trupës janë Fatjon Sulstarova dhe Elton Çefa, të dy solistë, dhe të rinjtë Sueda Hoxha, Aledia Kondaj dhe Mateo Lushi.
Prevazi dhe Çefa u zhvendosën në Prishtinë për tre vjet, 2003-2007, pranë Shkollës së Baletit dhe pranë Trupës së Baletit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Aty vunë në skenë "Transition 2", "S'po dëgjohet gongu", "Performance", "Lukja", "Këpucët me zile".
Së fundmi, më 5 mars, "Albanian Dance Theatre" bashkëpunoi me kompaninë angleze
"StopGap Dance" për "Within" të Thomas Noone-it, me rastin e fushatës për të drejtat dhe integrimin në shoqëri të personave me aftësi të kufizuara, organizuar nga British Council.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›