Ndihmat ekonomike, përplasje bashki-prefekturë

Bashkia: Është pezulluar ndihma ekonomike për 502 familje. Prefekti: Nuk kemi bërë asnjë pezullim vendimi
CËRRIK - Bashkia Cërrik bën të ditur se i është bllokuar përkohësisht fondi për ndihmën ekonomike nga Shërbimi Social Shtetëror. Shkak për këtë është bërë një vendim i institucionit që kontrollon shpërndarjen e ndihmës ekonomike pasi ka vënë re se kjo bashki jepte ndihmën në masën 72 %, dhe jo 100% duke shtuar më shumë familje në skemë.
Kreu i Drejtorisë Ekonomike pranë kësaj bashkie, Hekuran Kumria, shpjegon se fondi është bllokuar me arsyetimin se ndihma po jepet me masë jo të plotë, por vetëm 72% e saj. "Pretendohet se Bashkia e Cërikut trajton me ndihmë ekonomike në masën 72% nga 100% që është e lejuar sipas ligjit.
Duke pasur parasysh se fondi i vënë në dispozicion nga ministria nuk përmbush detyrimet për t'i trajtuar të gjitha familjet në nevojë me ndihmë ekonomike, Bashkia për të mos i veçuar ato i paguan me 70%. Kërkojmë shtesë fondi për të trajtuar të gjitha familjet që plotësojnë kriteret për të marrë ndihmë ekonomike".
Po kështu sipas Kumrisë, bashkia ka kërkuar jo vetëm ndryshim të këtij urdhri, por edhe rritje të fondit për shkak se shumë familje kanë nevojë emergjente për ndihmë ekonomike në kushtet e papunësisë dhe pamundësive për të siguruar të ardhura të tjera.
Megjithatë aktualisht mbeten pa e marrë ndihmën ekonomike 502 familje të kësaj bashkie deri në një vendim të dytë për zbritjen e numrit të përfituesve. Sipas Shërbimit Social, kjo formë e Bashkisë Cërrik është shkelje e ligjit.
Ndërkohë prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, i kontaktuar për këtë rast tha se në zyrën e tij nuk ka mbërritur asnjë shkresë dhe nuk është bërë asnjë pezullim vendimi të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Cërrik.
Ai konfirmoi se nuk ka dijeni për një problem të tillë me ndihmën ekonomike të Cërrikut. Zakonisht pas Mbledhjes së Këshillit miratohen familjet dhe më pas shpërndahen ndihmat. Di që ka pasur probleme të mëparshme me skemën e ndihmës, por që të jetë pezulluar fondi nuk kam asnjë dijeni",- tha prefekti Deliallisi.
Bashkia Cërrik edhe një vit më parë ka pasur përplasje me Shërbimin Social Shtetëror po për ndihmën ekonomike. Ky shërbim akuzoi bashkinë për përfshirjen e familjeve në skemë që nuk plotësojnë kriteret. Ndërkohë që kërkoi largimin nga skema të këtyre familjeve ky institucion i kërkoi prefekturës të marrë masë ndaj Bashkisë Cërrik, e cila drejtohet nga socialistët.
Po kështu kanë nisur kontrollet për skemën e ndihmës ekonomike në shumë komuna ku ka pasur sinjalizime se ka shumë emra që marrin ndihmë, por nuk plotësojnë kushtet e trajtimit.